Kostoja e energjisë elektrike vijon të mbetet një nga presionet kryesore mbi financat e shoqërive ujësjellës-kanalizime, ndërsa detyrimet e prapambetura ndaj furnizuesit të energjisë vijojnë të shtohen.
Të paktën ky është konstatimi i Raportit të Performancës 2025 të Entit Rregullator të Ujit (ERRU).
Shpenzimet për energjinë elektrike arritën në rreth 2.55 miliardë lekë gjatë vitit 2025, duke u rritur me rreth 85.8 milionë lekë ose 3.5% krahasuar me një vit më parë.
Sipas ERRU-së, energjia elektrike përbën rreth 24% të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes (O&M) të sektorit, duke qenë një nga zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve për operatorët.
Rritja e kostos së energjisë vjen në një kohë kur ujësjellësit vijojnë të përballen me presion financiar për shkak të diferencës mes të ardhurave dhe kostove të aktivitetit.
Edhe pse treguesit financiarë të sektorit janë përmirësuar në vitin 2025, me mbulimin e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes që arriti në 116.8%, një pjesë e operatorëve vijojnë të mos arrijnë të mbulojnë kostot bazë të funksionimit.
ERRU e lidh peshën e lartë të energjisë në kostot e sektorit me nevojën për përmirësim të eficiencës së operatorëve. Në raport theksohet se “kontrolli i kostove operative, rritja e eficencës së stafit, optimizimi i konsumit të energjisë elektrike dhe reduktimi i humbjeve të ujit mbeten faktorët kryesorë për forcimin e qëndrueshmërisë financiare afatgjatë të sektorit”.
Krahas rritjes së shpenzimeve, detyrimet ndaj operatorëve të energjisë vijojnë të jenë një problem për një pjesë të shoqërive ujësjellës-kanalizime. ERRU raporton se detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE-së vazhdojnë të akumulohen nga viti në vit, duke rritur nivelin e detyrimeve të pagueshme të sektorit.
“Detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE-së vijojnë të akumulohen nga viti në vit, duke rritur nivelin e detyrimeve të pagueshme, pavarësisht subvencioneve të akorduara nga qeveria qendrore”, thuhet në raport.
Energjia elektrike është një kosto e rëndësishme për funksionimin e sistemeve të furnizimit me ujë, pasi lidhet me proceset e pompimit, transportit dhe shpërndarjes së ujit në rrjet. Për këtë arsye, ERRU e konsideron optimizimin e konsumit të energjisë si një nga elementët që ndikojnë në performancën financiare të operatorëve.
Presioni nga kostot e energjisë reflektohet edhe në diferencat e mëdha mes shoqërive. Në vitin 2025, vetëm 8 nga 17 operatorë arritën të mbulonin kostot e operimit dhe mirëmbajtjes, ndërsa 9 shoqëri ose 53% e totalit vijuan të mos i mbulonin këto kosto.
Sipas raportit të ERRU-së, përmirësimi i performancës financiare të sektorit kërkon jo vetëm rritje të të ardhurave, por edhe kontroll më të mirë të kostove kryesore të tyre./Monitor







