Ballina Politika Tabaku nga Vlora: Anuloni Ligjin e Investimeve Strategjike, Zonat e Mbrojtura të...

Tabaku nga Vlora: Anuloni Ligjin e Investimeve Strategjike, Zonat e Mbrojtura të jenë me standarde të BE-së

100
0

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka kërkuar transparencë për projektet në zonën e Zvërnecit, duke kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe Ligjin për Investimet Strategjike.
Gjatë një prononcimi nga Vlora, pas takimeve me banorë dhe eurodeputetë, Tabaku tha se qytetarët kërkojnë të dinë se çfarë projektesh parashikohen në zonë dhe si është marrë vendimmarrja.

Tabaku u ndal edhe te Aeroporti i Vlorës, duke thënë se ndërtimi i tij ka qenë prej kohësh objekt i denoncimeve të saj për ndikimin në zonën e mbrojtur.
Deputetja demokrate tha se ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura duhet të jenë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa për Ligjin e Investimeve Strategjike kërkoi anulimin e tij.

“Ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj i cili duhet patjetër të jetë me standardet e BE-së. Ligji i Investimeve Strategjike duhet anuluar”, u shpreh Tabaku.
Gjatë prononcimit, ajo komentoi edhe situatën e drejtueses së SHISH-it, duke e cilësuar çështjen si problem për sigurinë kombëtare. Tabaku kërkoi që drejtuesja e institucionit të largohet nga detyra dhe i bëri thirrje Presidentit dhe institucioneve të tjera të mbajnë qëndrim.
“Është një cenim për sigurinë kombëtare, është një njollë për imazhin e Shqipërisë, është një cenim edhe për faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s”, tha Tabaku.

Deklarata e plotë:

Së pari njëherë, ju falënderoj për durimin edhe për faktin që nga mëngjesi e deri tani pritët që ne të përfundonim vizitën.

Vizita, me thënë të drejtën, është organizuar jo nga ne, por organizatorët kishin menduar një lëvizje ndryshe. Unë do kisha preferuar që ne të shkonim atje në zemër të Zvërnecit dhe të shikonim, së pari, Aeroportin e Vlorës, sepse pikënisja e shkatërrimit të një zone të mbrojtur është nga Aeroporti i Vlorës, dhe së dyti, të kishin takuar banorët.

Por ato e kanë një pamje të qartë dhe të dy kërkesat e djeshme që u bënë me zë, në fakt, në tryezën e diskutimeve, vazhdojnë mbeten edhe sot. Dhe janë edhe ajo thirrja e banorëve, në fakt, që mua më mbeti kur i takova: “Anuloni ligjin!”

Këtu bëhet fjalë për dy ligje: për Ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe për Ligjin e Investimeve Strategjike. Të dy ligje të cilat janë abuzive.

Me aq sa unë bisedova me qytetarët dhe me banorët atje, po njëkohësisht edhe në vizitën e parë që patëm në manastir, kishte vetëm një kërkesë: transparencë dhe konsultim.

Askush nuk e di çfarë po ndodh, askush nuk e di çfarë do të bëhet. Dhe unë besoj se është kërkesa legjitime e vlonjatëve, e banorëve, e pronarëve, që ky proces duhet të jetë transparent dhe i hapur.

Nga drama e procesit të integrimit, të paktën edhe ajo që kemi diskutuar me eurodeputetët, janë kërkesat për të dy ligjet.

Dhe fakti që në Republikën e Shqipërisë Ligji i Prokurimeve Publike, Ligji i Koncesioneve, nuk janë ligje në letër. Në qoftë se Shqipëria do të jetë vend anëtar i BE-së, atëherë këto i ka detyrime për t’i zbatuar.

Ato nuk janë një listë dëshirash që do një vend i Bashkimit Evropian apo një vend tjetër; ato janë detyrime dhe standarde që duhet që qeveria shqiptare t’i zbatojë.

*Pyetje: Do të ketë një deklaratë të përbashkët pak më vonë?*

Jorida Tabaku: Nuk ka një deklaratë të përbashkët sepse nuk pati një rezolutë të përbashkët, po do të bëjnë një komunikim dy bashkëkryetarët: zoti Tardino dhe zoti Balla.

*Pyetje: Nga eksperienca që patët deri tani, të paktën me eurodeputetët, qëndrimi i tyre si ju duket?*

Jorida Tabaku: Shiko, nuk flas dot në emër të tyre. Unë them ato që ne kemi diskutuar gjatë gjithë këtyre kohëve. Dhe ato me të vërtetë besojnë që këto dy ligje që janë duke u diskutuar, së pari, dhe së dyti, i gjithë procesi dhe mënyra se si është shkruar nuk është evropiane.

Fakti që Ligji i Zonave të Mbrojtura sot është një nga ligjet më të debatuara, dhe ligji erdhi i ndryshuar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë, pa konsultime, edhe me kundërshtitë e shumta nga organizatat mjedisore, ka një pikëpyetje shumë të madhe.

Kjo është shoqëruar me Ligjin e Investimeve Strategjike, sepse nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar; bëhet fjalë për disa ligje në mënyrë të njëpasnjëshme të ndryshuara.

Unë di të them që sot Vlora, jo për të gjitha arsyet e duhura, në fakt, Vlora këtu e Tirana… Vlora atje e Tirana, dhe Vlora këtu si qytet kanë qenë në qendër të vëmendjes.

E rëndësishme është që ka një ndërgjegjësim në nivel evropian dhe ka një ndërgjegjësim edhe të strukturave të Komisionit për ta trajtuar këtë çështje ashtu siç duhet: transparencë dhe konsultim.

*Pyetje: A patët dizinformim nga deputetët e mazhorancës për këtë çështje? Ju keni qenë prezent tërë kohën…*

Jorida Tabaku: Shiko, dizinformimi… që t’ia kërkosh mazhorancës mosdizinformimin është, si të thuash, mos merr frymë e mos jeto.

Tani, dy gjëra duhet të kemi parasysh: eurodeputetët nuk vijnë këtu të painformuar, eurodeputetët vijnë këtu me një informacion të plotë. Ju patët dëgjuar që dje kishin një informacion të plotë për të gjithë situatën që ndodh sot ky projekt.

Unë do kisha dashur që ne të ishim ulur atje në Zvërnec, të kishim parë punimet; do kisha dashur që të kishim parë Aeroportin e Vlorës, sepse këtu tre vjet më parë me Aeroportin e Vlorës nisi prishja dhe dëmtimi i zonës së mbrojtur.

*Pyetje: Pse ju nuk keni folur për Aeroportin e Vlorës deri më sot?*

Jorida Tabaku: Unë besoj më keni ndjekur që unë kam qenë e para që e kam denoncuar Aeroportin e Vlorës. E kam denoncuar për mënyrën se si është dhënë tenderi, e kam denoncuar për faktin që aeroporti ishte i pari që ishte në zonën e mbrojtur, u bë pa një analizë të ndikimit në mjedis.

Nuk ka asnjë dyshim që ne e duam zhvillimin, edhe unë e dua zhvillimin. Por sot me lejoni që t’ju them që i gjithë diskutimi sot nuk duhet të jetë “je kundër këtij apo kundër atij”, “je pro apo kundër Trump-it”, pyet atë që ka qejf të bëjë propagandë me Trump-in!

Ne po flasim këtu për ligje, ne po flasim këtu për një situatë…

*Pyetje: Po si opozitë, si e vlerësoni investimin që po bëhet, paraprakisht, për dhënien e lejes?*

Jorida Tabaku: Tani, unë nuk e di çfarë investimi po bëhet në Zvërnec sepse atje pyetëm dhe na thanë nuk ka investim, s’ka projekt. Tani më thoni juve ku është investimi, ku është projekti.

Investimet po bëhen në Zvërnec sepse atje pyetëm dhe na thanë nuk ka investim, s’ka projekt. Tani më thoni juve ku është investimi, ku është projekti?

Unë i takova banorët të cilët i kam dëgjuar, i kam takuar dhe në Tiranë, të them të drejtën, një përfaqësi të tyre. Nuk është hera e parë që vij këtu.

Me disa nga organizatat mjedisore kam qenë disa herë këtu, edhe pranë aeroportit të Vlorës, edhe në zonën e mbrojtur. Për mua ka rëndësi që ky proces të jetë transparent, të jetë i konsultuar edhe t’i përfshijë banorët.

*Pyetje: Zonja Tabaku, ku ka pasur reagim nga populli, reagim nga banorët për çështje të cilat kanë ngjallur dyshime apo ka pasur të themi protesta, sikurse është edhe zona e Zvërnecit, por për çdo çështje në përgjithësi, Partia Demokratike ka reaguar dhe ka qenë pranë banorëve ose pro asaj se çfarë banorët kanë kërkuar. Me të vetmin rast që është Muzeu Hebraik…*

Jorida Tabaku: Unë e kam ndjekur edhe diskutimin. Ndoshta nuk është aq afër Tiranës, diskutimi ka qenë i tillë që ne nuk jemi kundër një muzeu besimi në vetvete dhe nuk është se nxisim kundër, protesta kundër një muzeu besimi.

Ne jemi kundër zhvillimit të integruar të zonës duke ruajtur sigurisht dhe trashëgiminë, zemrën e Vlorës në këtë rast. Ndërkohë që për këtë është kërkuar që të mos jetë një çështje besimi, çështje ndasije.

Tani, ne kaluam nga muzeu tek zona e mbrojtur, por ju më lejoni që unë ta përfundoj duke thënë: nuk ka asnjë gjë më të rëndësishme, dhe këtë ua them edhe si qytetare, jo vetëm si politikane.

Nuk ka asnjë gjë më të rëndësishme sot, edhe për këtë projekt, edhe për banorët, edhe për atë që ne duam që Shqipëria të jetë nesër, sesa çdo gjë të jetë e hapur dhe transparente.

Dhe kjo është një kërkesë legjitime e ambientalistëve, e banorëve, e qytetarëve të Vlorës, po edhe juaja si qytetarë dhe si gazetarë të këtij qyteti.

Kështu që, e përsëris dhe njëherë atë që është thënë dje në tryezë:

Ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj i cili duhet patjetër të jetë me standardet e BE-së dhe ndryshimet nuk janë me standardet e BE-së.

Ligji i Investimeve Strategjike duhet anuluar. Dhe ligji i Investimeve Strategjike, anulimi i tij, fillon nesër në komisionin që unë drejtoj.

*Pyetje: Një koment për ngjarjen e SHISH-it ditën e sotme?*

Jorida Tabaku: Organizimet, protokolli nuk ishin në dorën time. Ju e patë që unë ndalova me banorët atje dhe kam të gjithë dëshirën për t’i takuar përsëri.

Dhe deputetja e zonës, zonja Zhupa, edhe zoti Leskaj që e njohin zonën më mirë, kanë qenë në kontakt me ato.

Përsa i përket komentit për Vlorën, prandaj thashë sot Vlora ishte në qendër të diskutimeve.

Nuk e besoja që do të thosha ky është skandali më i rëndë. Sepse kemi nisur çdo ditë duke thënë kjo është më e rënda, kjo është… po më e rëndë se ajo që ka ndodhur sot, ku drejtuesja e SHISH-it është e përfshirë me një grup të strukturuar kriminal, sipas akuzave të SPAK-ut, dhe kërkohet pezullimi nga detyra dhe ndalimi i saj, masa e SPAK-ut nuk është zbatuar akoma sepse ajo ndodhet jashtë Shqipërisë, unë nuk besoj që ka.

Është një cënim për sigurinë kombëtare, është një njollë për imazhin e Shqipërisë, është një cënim edhe për faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s.

Unë kisha bërë një thirrje sot në mëngjes, sepse rrugës duke ardhur këtu në Vlorë dëgjova, që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Po një nga komentuesit me të drejtë më kishte shkruar që “i bie të mblidhet në burg Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, sepse sot pak nga pak të gjithë anëtarët e qeverisë që kishin lidhje me mbrojtjen, me sigurinë, me rendin, me prokurimet publike, ish-zëvendëskryeministrja, sot janë të gjithë përpara drejtësisë.

*Pyetje: A duhet të largohet një drejtuese e SHISH-it që jep vend-informacion?*

Jorida Tabaku: Unë besoj që në çdo moment që ajo duhet të largohej jashtë vendit duhet të kishte njoftuar, por këtu është vendi i çudirave.

Këtë nuk e di, dhe me aq sa më njihni nuk jam një politikane që bëj këto lajmet bombastike.

*Pyetje: Zonja Tabaku, duket se nuk mund të lihet me kaq. Ju e patë që reagimi ndoshta më i rëndë, por një reagim të radhës…*

Sot ka pasur reagime gjatë gjithë ditës, por kjo nuk është situatë e re për Partinë Demokratike. Kjo gjë është paralajmëruar.

Që SHISH-i ka qenë në shërbim të grupit të strukturuar kriminal që ka punuar me AKSHI-n dhe Ergys Agasi, nuk është se është lajm i ri. Ka qenë një lajm që ne e kemi thënë në vite, muajt e fundit ka qenë akoma dhe më insistues mënyra se si e kemi denoncuar.

Unë i bëj thirrje Presidentit që të mbajë një qëndrim.

Unë i bëj thirrje të gjitha instancave që të mbajnë një qëndrim.

Dhe në këtë moment ajo nuk duhet të jetë e pezulluar, ajo duhet të largohet nga detyra.

E di që nga Edi Rama nuk mund të presim shumë, se ky sistem është ngritur nga Edi Rama. T’i thuash Edi Ramës reflekto siç sigurisht jemi në 2013-ën, sikur flasim për suitedin, ka përfunduar koha e reflektimit.
Sot shteti ka rënë.