Rritja e çmimeve të karburanteve po shton presionin mbi bizneset, fermerët dhe konsumatorët në Kosovë. Përballë kësaj situate, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka kërkuar institucioneve të shqyrtojnë uljen e përkohshme të akcizës për karburanteve dhe marrjen e masave të tjera lehtësuese.
Dhoma thotë se rritja e çmimeve të naftës po ndikon në kostot e operimit në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, duke prekur prodhimin, transportin, ndërtimin dhe çmimet për konsumatorët. Situata është veçanërisht e rënduar për bizneset prodhuese, të cilat krahas çmimeve të larta të derivateve po përballen edhe me reduktime të energjisë elektrike.
“Për një pjesë të ndërmarrjeve, veçanërisht ato prodhuese, ndërprerjet e energjisë i detyrojnë të përdorin gjeneratorë për të vazhduar procesin e punës, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e karburanteve”, thuhet në komunikatën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.
Rritja e çmimeve të karburantit po prek edhe fermerët. Dhoma vlerëson se rritja e këtyre shpenzimeve mund të ndikojë në koston e prodhimit bujqësor dhe, rrjedhimisht, edhe në çmimet e produkteve vendase. Sipas Dhomës, kjo situatë mund të ndikojë edhe në konkurrueshmërinë e prodhimeve vendore përballë produkteve të importuara.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se ka kërkuar që nga fillimi i krizës organizimin e një tryeze të përbashkët me institucionet dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, për të diskutuar ndikimin e rritjes së kostove dhe masat që mund të ndërmerren.
Por, deri tani nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme institucionale për realizimin e këtij takimi. Në këtë situatë, Dhoma kërkon që institucionet të shqyrtojnë uljen e përkohshme të akcizës për karburantet, duke e konsideruar këtë një nga masat që mund të lehtësojë barrën mbi ekonominë.
Dhoma propozon gjithashtu skema të përkohshme mbështetjeje për bizneset që përdorin gjeneratorë për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike, masa lehtësuese për fermerët dhe stimulimin e konsumit të produkteve vendore. Organizata e biznesit ka përmendur edhe masat e ndërmarra nga disa vende të rajonit për përballimin e rritjes së çmimeve të derivateve, veçanërisht uljen e akcizës. Ndërsa, kërkon që institucionet e Kosovës të marrin në konsideratë masa të ngjashme dhe thekson nevojën për dialog më të drejtpërdrejtë me komunitetin e biznesit.







