Ballina Aktualitet “Bashkëpunëtor” apo më shumë? Misteri i komunikimeve Hyseni-Agasi, qindra mesazhe para arrestimit...

“Bashkëpunëtor” apo më shumë? Misteri i komunikimeve Hyseni-Agasi, qindra mesazhe para arrestimit të biznesmenit

59
0

Mbi 100 telefonata, qindra mesazhe dhe komunikime të shpeshta përmes videocall-it janë në fokusin e hetimit të SPAK për kontaktet mes drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar më 26 gusht.

Sipas burimeve komunikimet mes tyre janë kryer në mënyrë të vazhdueshme nga 28 qershori deri më 26 gusht, ditën kur Agasi u arrestua në zonën e Plepave në Durrës. Në këtë periudhë, sipas të njëjtave burime, janë regjistruar më shumë se 100 telefonata mes Hysenit dhe Agasit, krahas qindra mesazheve dhe komunikimeve me videocall, si edhe dërgimit të fotove dhe videove.

Ky komunikim i shpeshtë është një nga elementët që po shqyrtohen nga SPAK në kuadër të hetimit. Sipas burimeve, prokurorët nuk e konsiderojnë komunikimin mes tyre thjesht në cilësinë e një kontakti me një bashkëpunëtor, siç ka pretenduar Hyseni.

Zhvillimet e reja vijnë pasi GJKKO caktoi ndaj drejtoreshës së SHISH masën e “arrestit në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra. SPAK e ka vendosur Hysenin nën hetim për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Në qendër të këtij fraksioni të hetimit ndodhet Ergys Agasi, i cili u arrestua më 26 gusht, pas rreth tetë muajsh në kërkim në kuadër të dosjes së AKSHI-t. Në momentin e arrestimit, ai ndodhej në shoqërinë e ish-efektivit të Policisë, Uljan Shpataraku.

Hetuesit kanë sekuestruar materiale dhe pajisje që po analizohen në kuadër të hetimit, ndërsa kontrolli i komunikimeve të Agasit dyshohet se ka ndihmuar në orientimin e hetuesve drejt personave të tjerë.

Ndërkohë, hetimi është shtrirë edhe te ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, banesa e të cilit është kontrolluar me urdhër të SPAK. Në kuadër të të njëjtit aksion janë ekzekutuar edhe masa sigurie ndaj personave të tjerë.

Më shumë se 100 telefonata në rreth dy muaj, të shoqëruara me qindra mesazhe dhe komunikime të tjera, janë tashmë pjesë e të dhënave që SPAK po verifikon për të përcaktuar natyrën dhe përmbajtjen e marrëdhënies mes Hysenit dhe Agasit.