Ballina Ekonomia Çmimet e banesave rriten 10%, Tirana përshpejton sërish, kredia vijon të ushqejë...

Çmimet e banesave rriten 10%, Tirana përshpejton sërish, kredia vijon të ushqejë tregun

98
0

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, por me sinjale se ritmi i shtrenjtimit të banesave po ngadalësohet. Përjashtim bën Tirana, ku çmimet kanë shënuar një rritje të fortë edhe vetëm brenda gjashtë muajve.

Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar për periudhën janar-qershor 2026 të Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në rang vendi rezultoi 10% më i lartë krahasuar me një vit më parë, ndërsa në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm mbeti praktikisht i pandryshuar.

Situata paraqitet ndryshe në kryeqytet. Indeksi i çmimeve për Tiranën u rrit me gati 10% vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë, ndërsa rritja vjetore ishte po rreth 10%. Kjo tregon se pas një periudhe më të qetë, presioni mbi çmimet në kryeqytet është forcuar gjatë muajve të parë të këtij viti.

Të dhënat tregojnë ndërkohë se kërkesa e përgjithshme për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale ka qenë e qëndrueshme. Një prej faktorëve që vazhdon ta mbështesë tregun është financimi bankar. Banka e Shqipërisë vëren se kërkesa për banesa është mbështetur nga rritja e kredisë për blerjen dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme, ndërsa bankat kanë raportuar kushte të pandryshuara kreditimi dhe një shkallë më të lartë miratimi të kërkesave për kredi nga individët.

Lidhja mes kreditimit dhe tregut të banesave bëhet edhe më e dukshme në të dhënat e sektorit bankar. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, kredia për individët u rrit me rreth 17% në terma vjetorë, ku kontributin kryesor e dha pikërisht kredia për blerjen e banesave, kryesisht në lekë.

Edhe fluksi i kredive të reja konfirmon peshën që ka marrë financimi i banesave në aktivitetin bankar. Banka e Shqipërisë raporton se gjysma e të gjithë kredisë së re të dhënë për individët gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 është përdorur për blerjen e banesave. Në të njëjtën kohë, numri i aplikimeve për kredi është rritur ndjeshëm dhe norma e refuzimit nga bankat ka shënuar një rënie të lehtë.

Në krahun tjetër, edhe oferta e banesave po zgjerohet. Numri i lejeve të ndërtimit ishte më i lartë krahasuar me mesataren tremujore të vitit 2025, ndërsa është rritur edhe sipërfaqja e miratuar për ndërtim. Megjithatë, kostot e ndërtimit kanë vijuar të rriten në terma vjetorë, të ndikuara kryesisht nga shpenzimet më të larta për paga dhe kosto të tjera.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është stoku i pronave që mbeten pa u shitur. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, numri i pronave të pashitura ka vijuar të bjerë, çka sinjalizon se oferta e re po vijon të absorbohet nga tregu. Nga ana tjetër, koha mesatare e nevojshme për shitjen e një prone është rritur lehtë, kryesisht si rezultat i zgjatjes së kohës së shitjes në Tiranë.

Presioni nuk është kufizuar vetëm te çmimet e shitjes. Banka e Shqipërisë konstaton se çmimet e qirave kanë vijuar të rriten edhe gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, agjentët e tregut ruajnë një vlerësim pozitiv për ecurinë e banesave në afatin e shkurtër dhe mbeten optimistë edhe për perspektivën afatgjatë.

Zhvillimet në pasuritë e paluajtshme mbeten megjithatë në vëmendjen e Bankës së Shqipërisë edhe nga këndvështrimi i stabilitetit financiar. Në vrojtimin me bankat, zhvillimet në këtë treg renditen ndër burimet kryesore të rrezikut pas pasigurive ndërkombëtare. /ekofin.al