Ballina Politika Eurodeputetja, raporton zhvillimet në vend: Kërkesa është shumë e qartë, të shfuqizohet...

Eurodeputetja, raporton zhvillimet në vend: Kërkesa është shumë e qartë, të shfuqizohet ligji për zonat e mbrojtura

47
0

Pasi vizitoi Zvërnecin dhe pa nga afër vendin se ku do të ngrihet resorti luksoz, eurodeputetja Terry Reintke, nga grupi i të gjelbërve në Parlamentin Evropian mbajti një konferencë për shtyp në Tiranë, ku u kujdes të përcillte edhe njëherë mesazhin e pandryshuar të ligjvënësve të Bruskelit, ligji për zonat e mbrojtura duhet shfuqizuar.

“PE e ka ndjekur nga shumë afër atë që po ndodh në Shqipëri, përfshirë grupin tonë dhe kërkesat tona janë ende shumë të qarta.

Kemi miratuar një raport në qershor dhe kërkojmë një moratorium për të gjitha planet e zhvillimit në zonat e mbrojtura. Kërkesa është shumë e qartë, të shfuqizohet ligji për zonat e mbrojtura dhe të harmonizohet me legjislacionin mjedisor të BE-së”, tha Terry Reintke.

Nga “Shtëpia e Evropës” në kryeqytet, eurodeputetja e cilëson ligjin për zonat e mbrojtura, një çështje kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Kjo është një kërkesë  afatgjatë që vjen si nga PE dhe nga KE dhe do të jetë aspekt kyç kur bëhet fjalë për negocimin në kuadër të kapitullit 27. Zvarritja dhe vonesa e procedurës nuk do ta zgjidhë çështjen, problematikën edhe kjo duhet të kuptohet qartë nga të gjithë”, shtoi ajo.

Për atë që pa në Zvërnec dhe punimet e kryera aty, eurodeputetja gjermane kishte këtë konstatim:

E pashë dje shumë qartë dhe mënyra se si ndërtimi po fillonte në maj dhe në qershor nuk është sipas legjislacionit shqiptar, por gjithashtu nuk është në përputhje me legjislacion mjedisor evropian.

Eurodeptuetja Reintke ishte pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian që mbërriti në Tiranë në kuadër të Komitetit të Stabilizim Asociimit.

Dy delegacionet, të parlamentit shqiptar dhe evropian zhvilluan të martën një vizitë në Zvërnec, në zonën ku pritet të ndërtohet resorti turistik i dhëndrit të Presidentit Donald Trump.