Ballina Kosovë Gjykata Kushtetuese jep verdiktin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës: Qeveria e...

Gjykata Kushtetuese jep verdiktin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës: Qeveria e ligjshme, 6 tetori afati i fundit për zgjedhjen e presidentit

35
0

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë vendim mbi konstituimin e kuvendit dhe formimin e qeverisë, pasi të njëjtat u kontestuan nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas afatit, pa specifikuar pasojat juridike për deputetët që shkelën afatin.

Megjithatë, konstituimi i Kuvendit jashtë periudhës 30 ditor, sipas gjykatës, ka për pasojë rrjedhjen e afatit për zgjedhjen e presidentit.

“Kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetuese.

Ky afat përfundon më 6 tetor 2026.

“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në vendim.

Gjykata obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës sa më parë të zgjedhin nënkryetarin nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.

Sa i përket formimit të qeverisë, Gjykata Kushtetuese konstaton se qeveria nuk është zgjedhur në kundërshtim me kushtetutën.

“Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim të Kushtetueses.