Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUT) ka vendosur një procedurë të re për daljet publike të stafit mjekësor në media.
Sipas një formulari zyrtar të siguruar së fundmi, mjekët, infermierët dhe punonjës të tjerë të institucionit duhet të marrin miratim paraprak përpara se të marrin pjesë në një emision televiziv, intervistë në portal apo gazetë, podcast, apo të bëjnë deklarata në rrjetet sociale.
Formulari, me titull ’Kërkesë për dalje në media’, u kërkon punonjësve të përcaktojnë paraprakisht median dhe formatin e daljes publike, temën dhe qëllimin e deklaratës, personat e tjerë që do të marrin pjesë në intervistë, si edhe materialet mbështetëse që do të përdoren, përfshirë fotografi, video apo statistika.
Sipas formularit, kërkesa duhet të kalojë në dy nivele miratimi. Fillimisht ajo duhet të shqyrtohet nga Shefi i Marrëdhënieve me Publikun dhe më pas të marrë miratimin e Drejtorisë së QSUT-së.
Procedura ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si stafi i spitalit mund të komunikojë publikisht për çështje që lidhen me punën e tij dhe problematikat në sistemin shëndetësor.
Kritikët e kësaj procedure e shohin atë si një mekanizëm kontrolli mbi deklaratat publike të mjekëve dhe infermierëve, sidomos kur temat lidhen me kushtet në spitale, mungesat e medikamenteve, shërbimin ndaj pacientëve apo problematikat e tjera të sistemit shëndetësor.
Formulari parashikon që çdo dalje në media të autorizohet paraprakisht nga strukturat drejtuese të institucionit, duke e vendosur komunikimin e stafit në një proces formal miratimi.
Mbetet për t’u parë se si do të zbatohet kjo procedurë në praktikë dhe nëse ajo do të kufizohet te çështjet institucionale apo do të shtrihet në çdo deklarim publik të punonjësve të QSUT-së.







