Ballina Politika “Protesta qytetare, shprehje demokratike”/ Akademikët shqiptarë me deklaratë të përbashkët: Nga shteti...

“Protesta qytetare, shprehje demokratike”/ Akademikët shqiptarë me deklaratë të përbashkët: Nga shteti ligjor tek zgjedhjet e lira dhe pavarësia e medias, 14 çështjet që kërkojnë ndërhyrje

53
0

Akademikë shqiptarë nga diaspora dhe Shqipëria po ndërmarrin hapa më konkretë për të kontribuar në zhvillimin e demokracisë, forcimin e institucioneve dhe avancimin e reformave në vend. Në një deklaratë të përbashkët, akademikë dhe studiues nga fusha të ndryshme kanë identifikuar një sërë problematikash që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe mund të ndikojnë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Ne, akademikë dhe studiues shqiptarë nga diaspora dhe Shqipëria, të bashkuar nga lidhja me vendin tonë dhe nga përgjegjësia që mbart dija, nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë shqetësimeve të thella që po përjeton shoqëria shqiptare. Përtej dallimeve politike, profesionale apo personale, na bashkon një bindje e thjeshtë: Shqipëria meriton institucione që i shërbejnë qytetarit, një shtet ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe një të ardhme ku puna, meritokracia dhe dinjiteti njerëzor kanë vlerë”, thuhet në deklaratë.

Në dokument theksohet gjithashtu rëndësia e protestës qytetare si pjesë e funksionimit të një shoqërie demokratike.

“Protesta qytetare është një nga format themelore të shprehjes demokratike. Ajo nuk duhet parë si përplasje mes qytetarëve dhe institucioneve, por si një thirrje për t’u dëgjuar, për t’u reflektuar dhe për të kërkuar përgjegjësi. Kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ngre zërin për problemet që e shqetësojnë, përgjigjja e institucioneve duhet të jetë dëgjimi, transparenca dhe llogaridhënia.”

Akademikët argumentojnë se roli i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në universitete, laboratorë dhe institucione kërkimore, por duhet të përfshijë edhe kontributin në debatin publik dhe në formulimin e zgjidhjeve të mbështetura në evidencë. “Dija mbart edhe një përgjegjësi qytetare: të vëzhgojmë me kujdes realitetin, të dallojmë problemet nga simptomat dhe të propozojmë zgjidhje të mbështetura në fakte, përvojë dhe interesin publik”, thuhet në deklaratë.

Sipas dokumentit, nevoja për përfshirjen e ekspertizës së pavarur në debatin publik bëhet edhe më e rëndësishme përballë treguesve aktualë të demokracisë. Në deklaratë citohet treguesi i demokracisë deliberative, sipas të cilit Shqipëria shënon 0,38 nga 1 dhe renditet në një nga vendet më të ulëta në Ballkan.

“Ky është kontributi ynë i parë: të flasim, të dokumentojmë problemet dhe të kërkojmë zgjidhje, sepse besojmë se një Shqipëri më e drejtë, më demokratike dhe më e zhvilluar nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një përgjegjësi e përbashkët”, theksojnë akademikët.

14 problematikat e evidentuara

Në deklaratë, 45 akademikë nga fusha të ndryshme – përfshirë shkencat politike, biznesin dhe ekonominë, shëndetësinë, teknologjinë, inxhinierinë dhe fusha të tjera, evidentojnë 14 çështje që, sipas tyre, kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje:

  1. Garantimi dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës;
  2. Garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe parandalimi i kapjes së shtetit;
  3. Zonat e mbrojtura dhe biodiversiteti;
  4. Liria dhe pavarësia e medias;
  5. Depolitizimi, integriteti dhe mirëfunksionimi i administratës dhe institucioneve publike;
  6. Forcimi i meritokracisë, transparencës dhe integritetit në sistemin akademik;
  7. Shpopullimi dhe humbja e kapitalit njerëzor;
  8. Prioritizimi, transparenca dhe llogaridhënia në përdorimin e fondeve publike;
  9. Riorganizimi dhe diversifikimi i ekonomisë dhe mbështetja e sektorëve prodhues;
  10. Zhvillimi i inovacionit, startup-eve dhe sipërmarrjes;
  11. Mbrojtja dhe administrimi i interesit publik në asetet strategjike dhe mobilizimi i kapitalit vendas;
  12. Forcimi i sistemit shëndetësor dhe vendimmarrjes së bazuar në evidencë;
  13. Zhvillimi i pabarabartë dhe jo plotësisht i integruar i digjitalizimit në Shqipëri;
  14. Mjedisi, menaxhimi i mbetjeve dhe zhvillimi i një ekonomie qarkulluese.

Në përfundim të deklaratës, akademikët argumentojnë se Shqipëria “ka nevojë për një model të ri zhvillimi, të mbështetur në institucione gjithëpërfshirëse, sundimin e ligjit, konkurrencën e ndershme, meritokracinë dhe administrimin e përgjegjshëm të burimeve”. Sipas tyre, një transformim i tillë është i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, mirëqenien afatgjatë dhe përmbylljen e tranzicionit të vendit.

Hapi i radhës: konferenca “Shqipëria 2026”

Global Albanian Academics Network (GAAN), rrjeti që qëndron pas nismës, sqaron se publikimi i deklaratës përbën vetëm hapin e parë të punës së tij.

Problematikat e identifikuara pritet të trajtohen më tej përmes punës akademike dhe kërkimore, e cila do të vijojë edhe në konferencën “Shqipëria 2026 – Demokracia, Institucionet dhe Integrimi Evropian në Udhëkryq”, që do të zhvillohet më 24–25 tetor në Tiranë, me mundësi pjesëmarrjeje edhe online.

Konferenca synon të bashkojë ekspertizën e akademikëve dhe studiuesve shqiptarë nga vende dhe fusha të ndryshme, ndërsa një prej rezultateve kryesore të saj do të jetë hartimi i raportit akademik “Shqipëria 2026”.

Deri tani, 78 akademikë dhe studiues janë regjistruar për t’u bërë pjesë e nismës, ndërsa sipas organizatorëve numri vazhdon të rritet.

GAAN e cilëson nismën si gjithëpërfshirëse dhe fton akademikët dhe studiuesit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, t’i bashkohen rrjetit dhe procesit të punës për konferencën dhe raportin “Shqipëria 2026”.

Më shumë informacion mbi deklaratën, konferencën dhe mënyrën e regjistrimit gjendet në faqen zyrtare të Global Albanian Academics Network: gaan-albania.org.

Lista e nënshkruesve:

  1. Prof. Dr. Afrim Krasniqi, Shqipëri – Histori dhe Shkenca Politike
  2. Dr. Ajrina Hysaj, Emiratet e Bashkuara Arabe – Digjitalizimi i Arsimit të Lartë
  3. Dr. Aksel Seitllari, SHBA – Inxhinieri Ndërtimi
  4. PhD. c. Albana Celepija, Itali – Inteligjencë Artificiale
  5. Dr. Albana Skeja, SHBA – Ekonomi
  6. PhD. c. Albi Isufaj, Japoni – Shkenca Kompjuterike
  7. PhD. c. Alfonc Baba, Itali – Neuroshkencë
  8. Prof. Dr. Altin Hoti, Kuvajt – Ekonomi
  9. Dr. Anisa Degjoni, Itali – Biomjekësi
  10. Dr. Arnisa Tepelija, Gjermani – Drejtësi
  11. PhD. c. Dejsi Qorri, Hungari – Ekonomi Agrare dhe Ushqimore
  12. PhD. c. Denada Dosti, Turqi – Shkenca Politike
  13. Prof. Dr. Denita Cepiku, Itali – Menaxhim Publik
  14. PhD. c. Dionis Hasanaj, Francë – Teknologji Elektronike
  15. Assoc. Prof. Edmond Jajaga, Maqedoni e Veriut – Shkenca Kompjuterike
  16. Dr. Eltjana Shkreli, Itali – Zhvillim Territori dhe Trashëgimi
  17. Dr. Enes Veliu, Itali – Inxhinieri Ndërtimi
  18. Dr. Erisa Putro, Itali – Onkologji
  19. Dr. Ermal Pashaj, Shqipëri – Mjekësi
  20. Dr. Ervin Goci, Shqipëri – Media dhe Komunikim
  21. Dr. Fatjon Çela, Itali – Bujqësi dhe Mjedis
  22. PhD. c. Gert Metani, Shqipëri – Edukim dhe Shkenca Sportive
  23. Dr. Gledis Guri, SHBA – Biologji Detare
  24. Dr. Hajro Hajrullaj, Gjermani – Shkencat Biomjekësore dhe Teknologjia
  25. Dr. Haris Vongli, Mbretëria e Bashkuar – Politikë dhe Media
  26. Assoc. Prof. Irida Shallari, Suedi – Elektronikë
  27. Dr. Jozel Hila, Itali – Mjekësi
  28. Dr. Julien Dhima, Francë – Risku dhe Kapitali Bankar, Financa e Qëndrueshme
  29. Dr. Klajdi Sotiri, Gjermani – Inxhinieri dhe Shkencat e Natyrës
  30. Dr. Klajdi Toska, Itali – Inxhinieri
  31. PhD. c. Landi Dardha, Izrael – Shkencat e Natyrës
  32. Dr. Livia Tepshi, Gjermani – Shkenca të Natyrës dhe Shëndetësi
  33. Dr. Marilica Zemkollari, Austri – Biologji Molekulare
  34. Dr. Marla Xhani, Gjermani – Shkencat e Jetës
  35. Dr. Med. Olger Kraja, Gjermani – Mjekësi
  36. Dr. Olsi Kusta, Danimarkë – Shkenca Sociale dhe Mjekësi
  37. Assoc. Prof. Oltiana Muharremi, SHBA – Financë/Kontabilitet
  38. PhD. c. Orsida Gjebrea, Katar/Mbretëria e Bashkuar – Shëndetësi
  39. Dr. Pines Nuku, Holandë – Psikologji
  40. Dr. Rudina Jasini, Mbretëria e Bashkuar – Drejtësi
  41. PhD. c. Sindi Sheri, Suedi – Biznes dhe Media
  42. PhD. c. Sofokli Çakalli, SHBA – Transport
  43. Assoc. Prof. Valmira Osmanaj, Kuvajt – Sisteme Informacioni
  44. Dr. Xhenis Shehu, Rumani – Shkenca Politike
  45. Dr. Xhoela Bame – Shkencat Biomjekësore