Pasuritë e paluajtshme të zotëruara nga kompanitë e sigurimeve në Shqipëri regjistruan një rritje të fortë vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), sektori i sigurimeve zotëronte toka dhe ndërtesa në vlerën e 14.1 miliardë lekëve (rreth 146 milionë euro). Krahasuar me një vit më parë, vlera e këtyre aseteve u rrit me 79%.
Investimet në prona arritën në 30.5% të totalit të investimeve të sektorit të sigurimeve, nga 18.7% që kishin qenë një vit më parë.
Statistikat tregojnë se këto asete zënë një peshë të rëndësishme në strukturën e bilancit total të kompanive të sigurimit. Në fund të vitit 2025, pasuritë e paluajtshme përbënin 22.3% të aktiveve totale të tregut, nga 13.8% që kishte qenë pesha e tyre një vit më parë.
Pesha e pronave në strukturën e bilancit është veçanërisht e lartë në sektorin e sigurimeve të Jo-Jetës, me 23.6% (nga 15% që kishte qenë në fund të vitit 2024).
Në segmentin e sigurimit të Jetës, pesha e pasurive të paluajtshme në bilanc ishte 12.3% në fund të vitit 2025, por edhe në këtë segment rritja është e dukshme nga niveli prej 4.9% i një viti më parë.
Vlen të thuhet, megjithatë, se pasuritë e paluajtshme janë të përqendruara sidomos në njërin prej grupeve të sigurimit në vend. Tre kompanitë e sigurimit që janë pjesë e këtij grupi zotërojnë pothuajse 65% të vlerë totale të pasurive të paluajtshme të gjithë sektorit.
Këto të dhëna tregojnë se pesha e pasurive të paluajtshme në bilancin e shoqërive të sigurimit është mjaft e lartë dhe në nivele jo tipike apo qoftë edhe të rekomanduara për institucionet financiare. Për shembull, në sektorin bankar të gjitha aktivet jo-financiare, (që konsistojnë kryesisht në pasuri të paluajtshme, por jo vetëm të tilla) përbëjnë rreth 2.2% të totalit të aktiveve.
Në mënyrë specifike për sektorin e sigurimeve, pesha optimale e rekomanduar në kuadrin rregullator është në nivele shumë më të ulëta se ato të mbajtura aktualisht nga sektori i sigurimeve në Shqipëri. Mbështetur kryesisht në regjimin e Solvency II, kërkesa për peshën e aseteve jo-financiare në portofolin e investimeve është në intervalin mes 5% dhe 15%, ndërkohë që për tregun e sigurimeve në Shqipëri ky raport arrin në 30.5%. Madje, në tregun e jo_jetës, ky raport është edhe më i lartë, në nivelin 32.6%.
Sipas këtij regjimi, mbajtja e sasive të mëdha të aseteve jo-financiare rrit ndjeshëm kërkesat për kapital. Për shembull, investimi në pasuri të paluajtshme kërkon një mbulim me kapital në masën 25%. Rrjedhimisht, mbajtja e investimeve të tilla në sasi të mëdha nuk është e leverdishme për një shfrytëzim eficient të kapitalit./Monitor







