Ballina Aktualitet “Është stërvitur nga Gjenerali i Zi”/ Mediat në Rumani ngrenë alarmin për...

“Është stërvitur nga Gjenerali i Zi”/ Mediat në Rumani ngrenë alarmin për Vlora Hysenin: Coldea ishte këshilltar i kryeministrit Rama dhe shef i spiunazhit rumun

109
0

Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni raportohet se është trajnuar dhe stërvitur nga ish-shefi i Inteligjencës së Rumanisë, Florian Coldea. Pak vite më parë, ai ka qenë këshilltar i kryeministrit Edi Rama dhe në të njëjtën kohë drejtonte shërbimin e Inteligjencës së Rumanisë.

Media e madhe rumune në internet, “Realitatea”, shkruan se Vlora Hyseni dhe Coldea kishin lidhje të ngushta kur gjenerali ishte këshilltar i kryeministrit Edi Rama.

“Disa burime shkojnë edhe më tej dhe thonë se gruaja dyshohet se është trajnuar në mënyrë operative nga Gjenerali i Zi. Realitatea PLUS i kërkoi Florian Coldeas një koment, por në kohën e publikimit të këtij lajmi, ish-zëvendëskreu i SRI-së nuk ishte përgjigjur”, shkruan media rumune.

Vlora Hyseni punoi, në një kohë, së bashku me Florian Coldean, gjatë periudhës kur ai ishte këshilltar i Kryeministrit Edi Rama. Kur u emëruan në pozicionet e tyre, si Florian Coldea ashtu edhe Vlora Hyseni shkaktuan skandale të vërteta.

“Në fakt, shtypi shqiptar shkruan se të dy madje ndanë një zyrë për një periudhë. Pasi u bë kreu i SRI-së (Shërbimi Inteligjent i Rumanisë), thonë gazetarët, Coldea u përfshi edhe në shërbimet shqiptare. Disa burime shkojnë edhe më tej dhe thonë se gruaja ishte trajnuar në mënyrë operative nga vetë Florian Coldea. Shtypi shqiptar raportoi gjithashtu se Hyseni kishte udhëtime dhe takime jashtë Shqipërisë me Coldean, përfshirë edhe pasi ai mori drejtimin e Shërbimeve Shqiptare”, vijon editoriali.

Ndërkohë, Florian Coldea është dërguar në gjyq në vendin e tij për çështjen që lidhet me ushtrimin e ndikimit, krijimin e një grupi të organizuar kriminal dhe pastrimin e parave. Ai ka punuar në Shqipëri si këshilltar i kryeministrit Edi Rama dhe gjatë kësaj kohe, në Kryeministri ka qenë e punësuar si këshilltare e Edi Ramës edhe Vlora Hyseni.

Tashmë është e ditur se ajo ka punuar të paktën për 1 vit pranë kryeministrit dhe më pas u emërua prej tij në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.