Turizmi humbi ritëm në gusht. Hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me vetëm 2% krahasuar me një vit më parë, ritmi më i ulët i rritjes për këtë muaj që nga pandemia.
Në gusht 2026 u regjistruan rreth 2.43 milionë hyrje të shtetasve të huaj, nga 2.38 milionë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Gushti është zakonisht muaji që sjell numrin më të lartë të vizitorëve të huaj në vend dhe, ndonëse në terma absolute ky vit mbetet rekord, ritmi i rritjes është ngadalësuar ndjeshëm.
Pas rimëkëmbjes së fortë nga pandemia, hyrjet e të huajve në gusht u rritën me 11.2% në 2022, me 18.3% në 2023, me 7.2% në 2024 dhe me 9.9% në 2025. Rritja prej vetëm 2% këtë vit është më e dobëta e periudhës 2021-2026.
Ngadalësimi i gushtit bie më shumë në sy pas një korriku më të fortë, kur hyrjet e të huajve u rritën me 7.1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tërësi, ecuria gjatë vitit ka qenë e luhatshme. Janari shënoi rënie prej 1.5%, ndërsa shkurti mbeti pothuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë. Ritmi u përshpejtua më pas, me rritje prej 10.8% në mars, 8.8% në prill dhe 15.9% në maj.
Në qershor, rritja ra sërish në vetëm 1.3%, përpara përmirësimit të korrikut. Për tetë muajt e parë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 9.44 milionë, nga 8.97 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja kumulative ishte 5.3%, pothuajse e njëjtë me ritmin prej 5.15% të regjistruar në tetë muajt e parë të vitit të kaluar, shkruan Monitor.
Ecuria sipas turoperatorëve
Ecuria është në linjë me pritshmëritë e shprehura gjatë sezonit nga operatorët turistikë, të cilët kanë vlerësuar se viti 2026 mund të mbyllet me një ritëm të ngjashëm me vitin e kaluar.
Të dhënat e lëvizjes së shtetasve vijnë në një sezon që operatorët e konsiderojnë pozitiv për sa i përket numrit të vizitorëve, por me më shumë pikëpyetje për të ardhurat që po gjenerojnë këto flukse. Një zhvillim pozitiv është zgjatja e sezonit, i cili, sipas rezervimeve të deritanishme, pritet të vijojë deri në dhjetëditëshin e parë të tetorit.
Operatorët nënvizojnë se rritja e numrit të turistëve duhet parë veçmas nga të ardhurat që sjell sektori. Vetëm bilanci në fund të sezonit pritet të tregojë nëse numrat më të lartë të vizitorëve janë përkthyer edhe në më shumë të ardhura. Ndryshime janë vënë re edhe në sjelljen e turistëve.
Të huajt këtë vit po qëndrojnë për periudha më të shkurtra, ndërsa është rritur përdorimi i apartamenteve dhe shtëpive private, si edhe i formulës “self-catering”, ku turistët blejnë ushqimet dhe i përgatisin vetë.
Rezervimet e momentit të fundit dhe kujdesi më i madh me shpenzimet janë bërë gjithashtu më të dukshme në disa prej tregjeve kryesore europiane që sjellin vizitorë në Shqipëri.
Një sinjal pozitiv është rritja e kontratave me garanci për vitin e ardhshëm të cilat kanë ardhur si në volum edhe në të ardhura. Grupet që kanë vijuar të shfaqin interes për këtë janë polakët, çekët dhe francezët por nuk mungojnë as grupe të tjera./monitor
Levizjet e shtatasve, INSTAT
“Gjatë muajit Gusht 2026, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 3.459.588
shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 2,7 %, krahasuar me Gusht 2025.
Gjithashtu, 3.571.685 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së
Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 7,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet në Shqipëri:
• Shtetas shqiptarë: 1.030.056 (rritje me 4,4 %)
• Shtetas të huaj: 2.429.532 (rritje me 2,0 %)
Daljet nga Shqipëria:
• Shtetas shqiptarë: 1.054.978 (rritje me 6,1 %)
• Shtetas të huaj: 2.516.707 (rritje me 7,5 %)”







