Duke iu referuar shifrës prej 400 miliardë lekësh që, sipas saj, qarkullojnë çdo vit në sektor, Xhixho thekson se vetëm 14% e huasë së re për bizneset shkon për ndërtimin, ndërsa fuqia blerëse e qytetarëve mbetet e ulët.
Për këtë arsye, deputetja ngre dyshime se një pjesë e parave që futen në sektor mund të kenë origjinë nga droga, korrupsioni apo aktivitete të tjera kriminale dhe kërkon hetim financiar për verifikimin e burimit të tyre.
Xhixho e lidh këtë situatë edhe me rritjen e çmimeve të banesave, duke akuzuar se qytetarët dhe veçanërisht çiftet e reja po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të blerë një shtëpi.
“Nga vijnë paratë?”, është pyetja që deputetja e Partisë së Lirisë i drejton institucioneve.
Postimi i plotë:
400 MILIARDË LEKË NË VIT HIDHEN NË NDËRTIM. POR NGA VIJNË KËTO PARA?
400 miliardë lekë në vit qarkullojnë në ndërtim.
Po nga vijnë këto para?
52% e stokut të kredisë lidhet me pasuritë e paluajtshme, ndërsa kredia e re për ndërtimin përbën vetëm 14% të totalit të huasë së re për bizneset.
Pra, bumi i jashtëzakonshëm i ndërtimit nuk shpjegohet nga kredia bankare.
Dhe aq më pak nga fuqia blerëse e shqiptarëve.
Çiftet e reja mezi përballojnë qiratë dhe nuk arrijnë të blejnë një shtëpi, ndërsa pagat në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në Europë.
Atëherë, kush e financon këtë bum të jashtëzakonshëm ndërtimi?
Kur volumi i parave që futen në ndërtim është shumë më i madh se financimi formal bankar dhe kërkesa reale e tregut, lind pyetja:
A po futen në ndërtim para me origjinë nga droga, korrupsioni dhe aktivitete të tjera kriminale?
Sot kërkohet transparencë dhe verifikim i burimit të parave. Këtë mund ta bëjë vetëm hetim i plotë financiar.
Sepse pas kullave dhe betonit nuk mund të fshihet burimi i parave.
Ndërtimi po përdoret si kanal për pastrimin e parave të pista, dhe ky është një nga problemet më serioze të ekonomisë shqiptare.
Një skemë që nuk prek vetëm financat e shtetit.
Po godet qytetarët e zakonshëm, po rrit çmimet e banesave dhe po i mohon një brezi të tërë mundësinë për të pasur shtëpinë e vet.
Qytetarët sot kërkojnë përgjigje:
NGA VIJNË PARATË?







