Flamuj, pankarta dhe flakadanë kanë shoqëruar marshimin e protestuesve në rrugët e Tiranës, në vijim të protestës së 120-të qytetare kundër qeverisë.
Pas përfundimit të fjalimeve pranë Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke mbajtur në duar flamujt kuqezi, pankarta dhe duke ndezur flakadanë.
Gjatë marshimit janë dëgjuar një sërë thirrjesh dhe sloganesh kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë përsëritur mesazhin “Ju erdhi fundi!”.
“Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Revolucion”, “Arrestoni Ramën”, “Studentë bashkohuni, kombi na thërret” dhe “Poshtë narkoshteti” ishin disa prej thirrjeve të artikuluara gjatë protestës.
Protesta e sotme shënon ditën e 120-të të tubimeve të njëpasnjëshme, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre në rrugë dhe në ditët në vijim.







