Një peshkaqen është kthyer në një atraksion të papritur turistik pasi mbeti i bllokuar në një kanal të ngushtë urban në Korenë e Jugut për më shumë se një javë.
Më shumë se 600,000 njerëz kanw vizituar parkun në qytetin portual jugor të Busanit, që kur peshkaqeni 3.5-metërsh – i quajtur “Bukang-i” u pikas për herë të pare më 18 shtator.
Ekspertët besojnë se bëhet fjalë për një peshkaqen të llojit “bronz”, i cili ndoqi prenë nga deti drejt kanalit dhe nuk mundi të gjente rrugën e daljes.
Roja bregdetare e qytetit, që ndodhet rreth 325 km në juglindje të Seulit, u përpoq ta nxirrte jashtë ditën kur u shfaq, por e pezulloi operacionin gjashtë orë më vonë me këshillën e shkencëtarëve; ata paralajmëruan se detyrimi i kafshës mund ta dëmtonte ose ta bënte agresive.
Instituti Kombëtar i Shkencës së Peshkimit deklaroi se gjendja e peshkaqenit ishte e qëndrueshme, por zyrtarët theksuan se aftësia e tij për t’u ushqyer dhe për të lëvizur ishte e kufizuar, gjë që mund ta dobësonte atë sa më gjatë që të qëndronte aty. Të martën pasdite, operacioni u pezullua sërish pasi peshkaqeni nuk pranonte të largohej nga kanali.
Peshkaqenët nuk janë të panjohur në ujërat e Koresë së Jugut. Instituti i Peshkimit regjistroi 46 peshkaqenë të mëdhenj pranë bregut lindor në gjysmën e parë të këtij viti – pothuajse katërfishi i numrit të regjistruar një vit më parë – një rritje që iu atribua ngrohjes së deteve dhe shtimit të peshqve që shërbejnë si pre për peshkaqenët. Parku “North Port Waterfront”, i cili zakonisht tërheq rreth 2,000 njerëz në ditë gjatë festave, regjistroi 607,000 vizita midis 19 dhe 28 shtatorit, sipas autoriteteve të qytetit.







