F. Scott Fitzgerald, i lindur me 24 shtator 1896, konsiderohet një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë amerikane të shekullit XX. Veprat e tij trajtojnë pasurinë, klasën shoqërore, moralin dhe ëndrrën amerikane. Romani i tij më i famshëm, “Getsbi i Madh”, është kthyer në një nga veprat ikonike të letërsisë amerikane.
Fitzgerald kishte një aftësi të veçantë për të përshkruar vende dhe atmosfera. Shpesh, ai merrte frymëzim drejtpërdrejt nga qytetet dhe peizazhet ku jetonte ose që vizitonte.
Ja gjashtë vende që lanë gjurmë në jetën dhe krijimtarinë e tij.
St. Paul, Minesota
Fitzgerald lindi në St. Paul dhe kaloi aty rreth 16 vite të rëndësishme të jetës së tij. I rritur pranë familjeve të pasura, ai u magjeps që herët nga luksi dhe privilegjet, por njëkohësisht edhe nga kontradiktat e tyre. Kjo përplasje do të bëhej një nga temat kryesore të romaneve të tij.
Lake Forest, Illinois
Lake Forest ishte vendi ku Fitzgerald njohu nga afër botën e të pasurve të vjetër amerikanë dhe ku u dashurua me Ginevra Kingun. Ajo besohet se ishte një nga frymëzimet për personazhin Deizi Bjukanan te “Getsbi i Madh”. Marrëdhënia e tyre u ndërpre pasi babai i Ginevrës nuk e konsideronte Fitzgerald-in mjaftueshëm të pasur për vajzën e tij. Përvoja ndikoi thellë në mënyrën se si shkrimtari trajtoi dashurinë dhe dallimet klasore.
Gold Coast, Long Island
Në vitin 1922, Fitzgerald dhe bashkëshortja e tij, Zelda, u zhvendosën në Long Island. Great Neck u bë frymëzimi për West Egg, ndërsa Sands Point për East Egg në “Getsbi i Madh”. Pranë shtëpisë së tyre ndodhej edhe Beacon Towers, një rezidencë madhështore që besohet se frymëzoi shtëpinë e Xhei Getsbit.
The Valley of Ashes, Queens
Rrugës nga Long Island drejt Manhatanit, Fitzgerald kalonte nëpër një zonë industriale të Queens-it, që në atë kohë përdorej si vendgrumbullim mbetjesh dhe hiri. Peizazhi i zymtë u shndërrua në The Valley of Ashes te “Getsbi i Madh”, simbol i varfërisë dhe pasojave të errëta të pasurisë dhe industrializimit.
Riviera Franceze
Fitzgeraldët vizituan Rivierën Franceze për herë të parë në vitin 1924 dhe u magjepsën nga ajo. Pikërisht atje Fitzgeraldi shkroi “Getsbi i Madh”. Riviera dhe njerëzit që çifti njohu atje ndikuan edhe në “Tender Is the Night”, ndërsa krizat martesore të Fitzgeraldëve gjatë kësaj periudhe u pasqyruan në temat e tradhtisë dhe marrëdhënieve të trazuara.
Hollivudi
Në vitin 1937, Fitzgerald u zhvendos në Hollivud për të fituar para duke shkruar skenarë. Përvoja e tij në industrinë e filmit u bë baza e romanit të papërfunduar “Dashuria e manjatit të fundit”. Personazhi kryesor u frymëzua pjesërisht nga Irving Thalberg, një nga drejtuesit e MGM-së me të cilin Fitzgerald punoi.
Shkrimtari vdiq në vitin 1940, në moshën 44-vjeçare, pa arritur ta përfundonte romanin. Megjithatë, vendet ku jetoi dhe udhëtoi vazhdojnë të jetojnë përmes personazheve dhe botëve që krijoi.







