Ballina Kronika Video intime në rrjet, Policia e Tiranës nis hetimet kryesisht: Në fokus...

Video intime në rrjet, Policia e Tiranës nis hetimet kryesisht: Në fokus portalet, profilet dhe gjurma digjitale

44
0

Policia e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht pas publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime, një rast që ka rikthyer edhe një herë në vëmendje kufirin mes interesit publik dhe dhunës digjitale ndaj jetës private.

Sipas njoftimit zyrtar, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka nisur veprimet për identifikimin e adresave IP, faqeve, profileve dhe çdo gjurme tjetër elektronike që lidhet me publikimin apo shpërndarjen e këtyre materialeve. Paralelisht, policia po ndjek procedurat për heqjen e videove nga platformat ku janë publikuar.

Çështja i është referuar Prokurorisë për disa vepra penale, mes tyre “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Rasti vjen në një klimë ku rrjetet sociale dhe portalet e dyshimta janë kthyer shpesh në gjykata publike pa ligj, ku privatësia e individit copëtohet për klikime, moralizim dhe konsum masiv. Hetimi pritet të sqarojë jo vetëm kush i ka publikuar materialet, por edhe kush i ka shpërndarë më tej, duke i dhënë një përmasë edhe më të rëndë një akti që ligji e trajton si cenim të jetës private dhe keqpërdorim të të dhënave digjitale.

Nëse hetimi shkon deri në fund, kjo nuk do të jetë vetëm një çështje policore. Do të jetë edhe një provë për mënyrën se si shteti, mediat dhe shoqëria reagojnë kur intimiteti kthehet në mall publik dhe kur turpi kërkohet te viktima, jo te ata që e prodhojnë, e hedhin në rrjet dhe e shpërndajnë.