Ballina Rajoni Moti i keq godet Greqinë, përmbytje dhe dëme të shumta në Kretë...

Moti i keq godet Greqinë, përmbytje dhe dëme të shumta në Kretë e Rodos

51
0

Greqia është përballur me një valë të fortë moti të keq, e cila ka shkaktuar përmbytje, dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të vendit.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Grek, rreth 22 mijë rrufe janë regjistruar brenda 24 orëve në Kretë dhe në Detin Egje jugor.
Më e goditura nga stuhitë ka qenë Kreta, ku reshjet intensive të shiut përmbytën rrugë, dëmtuan banesa dhe shkaktuan probleme në furnizimin me energji elektrike.

Dëme janë raportuar edhe në sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore, ndërsa autoritetet po vlerësojnë shkallën e humbjeve.

Sipas meteorologëve, reshjet kanë vijuar për disa orë me radhë, ndërsa kushtet atmosferike pritet të përmirësohen gradualisht.
Kreta, ishulli më i madh i Greqisë dhe një zonë me aktivitet të rëndësishëm bujqësor, mbetet në fokus të autoriteteve për shkak të pasojave që stuhitë mund të kenë mbi prodhimin dhe të korrat.

Pasojat e motit të keq nuk janë kufizuar vetëm në Kretë.

Në ishullin e Rodosit, një turiste gjermane humbi jetën pasi u godit nga rrufeja, ndërsa bashkëshorti i saj pësoi lëndime të lehta.

Autoritetet greke vijojnë të monitorojnë situatën dhe të vlerësojnë dëmet në infrastrukturë, rrjetin rrugor, sistemin energjetik dhe sektorin bujqësor, pas një prej episodeve më intensive të stuhive të regjistruara këtë sezon në jug të vendit.