Duket se Lionel Messi do ta mbyllë karrierën e tij me Argjentinën me një festë, por edhe në mes të një skandali. Ylli argjentinas përgatitet të luajë ndeshjen e tij të fundit me “albiceleste”, një miqësore ndaj Beninit, mes akuzave të rënda.
Që në ndeshjen miqësore ndaj Burkina Fasos, Federata e Argjentinës u akuzua edhe nga mediat vendase për keqmenaxhimin e sfidës që u mbyll 7-0. Kjo, pasi ekipi afrikan kishte mbërritur në vend pas një udhëtimi të gjatë, në linjë ekonomike dhe pa shumë prej lojtarëve kryesorë, të cilët nuk kishin pranuar të stërmundoheshin.
E njëjta gjë po ndodh edhe me Beninin, që ka akuzuar palën argjentinase se nuk ka bërë gjërat siç duhet për futbollin profesionist. Përfaqësuesja afrikane është ankuar për kushtet e akomodimit në hotel, ku mungon edhe uji i ngrohtë, apo edhe pajisjet e duhura për stërvitje para ndeshjes.
Për më tepër, ekipi është dashur të udhëtojë 23 orë për të mbërritur në Argjentinë, pasi Federata Argjentinase i kishte garantuar vetëm bileta ekonomike me avionë linje. Kjo ka bërë që ndeshja e fundit e Mesit, të mbulohet nga një hije skandali që po largon vëmendjen nga lamtumira e “Pleshtit”.







