Pavarësisht problemeve që grupi 4iG ka me qeverinë e re të Hungarisë, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit financiar, Moddy’s, beson se kompania është e shëndetshme financiarisht. Të paktën, krahu i saj i telekomunikacioneve.
Moody’s Ratings publikoi për herë të parë vlerësimin e saj kreditor për 4iG Tavkozlesi Holding Zrt. (4iG Telecom), duke i caktuar notën Ba1 me një perspektivë pozitive.
Vlerësimi “Ba1” e vendos grupin e telekomunikacionit vetëm një hap larg kategorisë elitare të investimeve me siguri të lartë (Investment Grade). Sipas Moody’s, ky sukses i detyrohet strategjisë së fortë të zgjerimit, menaxhimit të kujdesshëm të borxheve dhe partneritetit strategjik me shtetin hungarez, i cili zotëron direkt 37.9% të aksioneve të kompanisë.
Shqipëria dhe Ballkani, shtyllat kryesore të rritjes
Në raportin e saj, Moody’s vë në dukje se fuqia e 4iG Telecom qëndron te pozicioni i saj dominues në tregjet kyçe. Përveç Hungarisë (ku gjeneron 87% të të ardhurave), kompania ka krijuar një shtrirje të fuqishme në dritaren e Ballkanit Perëndimor.
Në Shqipëri, përmes One Albania, kompania kontrollon tregun si një dy operatorët celularë në vend, duke sjellë rreth 10% të të ardhurave të të gjithë grupit. Në Mal të Zi: Zotëron operatorin kryesor celular, i cili kontribuon me 3% të të ardhurave.
Raporti vlerëson faktin se këto tregje janë mjaft të qëndrueshme, kanë rregullore të qarta dhe barriera të larta për hyrjen e konkurrentëve të rinj. Për më tepër, aftësia e kompanisë për të ofruar paketa të kombinuara (internet fiks dhe telefonatë celulare në një vend) ka rritur besnikërinë e klientëve dhe të ardhurat për përdorues.
Infrastrukturë masive dhe rritje e fitimeve
Një tjetër pikë që ka ndikuar pozitivisht në vendimin e Moody’s është pronësia mbi një rrjet gjigant të infrastrukturës. Grupi zotëron mbi 20,000 kilometra rrjet fibrash optike, rreth 900 kulla transmetimi dhe më shumë se 5,000 stacione bazë.
Ky kontroll total mbi rrjetin i garanton kompanisë pavarësi teknologjike dhe kosto më të ulëta operative. Moody’s parashikon që marzhi i fitimit të kompanisë (EBITDA) të stabilizohet në rreth 35% dhe të rritet drejt 40% deri në vitin 2030.
Sfidat e së ardhmes: Zgjerimi në Maqedoninë e Veriut dhe rreziqet e monedhës
Megjithatë, agjencia nuk lë pa përmendur edhe disa sfida që e frenojnë aktualisht një notë më të lartë. 4iG po ndjek një axhendë mjaft agresive transformimi dhe blerjesh.
Ndër to spikat plani për të hyrë si operator i ri (greenfield) në tregun e Maqedonisë e Veriut, si dhe disa transaksione të ndërlikuara rajonale që janë ende në pritje të miratimeve rregullatore.
Një rrezik tjetër i nënvizuar është ekspozimi ndaj valutës së huaj: kompania ka borxhe të llogaritura në Euro (EUR), ndërsa arkëtimet kryesore i bën në monedhën hungareze (Forintë – HUF), gjë që krijon varësi nga luhatjet e kursit të këmbimit./Kapital







