Justina Shiroka-Pula është zgjedhur si Presidente e Kosovës. Eliza Hoxha, e cila ishte kandidatja e PDK, mori vetëm 1 votë, ndërsa 2 ishin të pavlefshme.
Votimi, i cili nisi disa minuta para se të trokiste mesnata, zgjati deri në orën 00:03, duke kaluar afatin kushtetues të 6 tetorit.
Akademikja Justina Shiroka-Pula është propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për presidente të vendit, të martën. Aktualisht ajo është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Në biografinë e publikuar në faqen e ASHAK-ut thuhet se Shiroka-Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976. Studimet pasuniversitare, në fushën e Teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984. Sipas biografisë Shiroka-Pula u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Pas diplomimit, ajo punoi për një kohë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978, nisi karrierën e gjatë akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si asistente për lëndën “Kërkimet Operacionale”. Kaloi nëpër të gjitha rrethet e avancimit akademik, duke u zgjedhur Profesore Ordinare në vitin 2004. Gjatë karrierës ka shërbyer si Shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të UP-së dhe anëtare e Bordit Drejtues të UP-së. Ka kryer studime dhe trajnime post-doktorale jashtë vendit, duke përfshirë Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në SHBA.
Shiroka-Pula ka mbajtur edhe pozita të larta publike. Ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011, si dhe ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së gjatë viteve 2011–2014.







