Ballina Aktualitet “Mos e prek Durrësin!”/ Banorët e prekur nga projekti TID protestojnë para...

“Mos e prek Durrësin!”/ Banorët e prekur nga projekti TID protestojnë para Bashkisë, hedhin vezë drejt godinës

42
0

Banorët e prekur nga projekti TID Durrës janë rikthyer këtë paradite në protestë para Bashkisë së Durrësit, pak minuta para nisjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e projektit dhe transparencë mbi procedurat që po ndiqen nga institucionet përgjegjëse, veçanërisht për pronat që preken nga ndërhyrja.

Teksa në sallën e Këshillit Bashkiak të Durrësit ka nisur mbledhja e radhës, jashtë saj qytetarët e prekur nga projekti TID të mbledhur në protestë, kanë nisur të qëllojnë me vezë drejt godinës së Bashkisë.

Rreth tre javë më parë, ata i janë drejtuar Bashkisë së Durrësit me një kërkesë për informacion mbi projektin dhe pronat e prekura, por thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Administrative të Tiranës, është kërkuar gjithashtu pjesëmarrja e drejtoreshës së Drejtorisë Juridike të Bashkisë Durrës, Almeida Rroshi.

Gjatë protestës janë vendosur pankarta me mesazhe kundër projektit, mes tyre: “Kryetare Emiriana Sako, ndalo shpronësimet! Mos shto veprat penale!”“Mos e prek Durrësin!”, “AADE mos prekni trashëgiminë!”, “S’na keni informuar, ju gënjeni” dhe “Bashki, po na hidhni nga banesat tona në rrugë”.