Christa Pike, 50 vjeçe, e dënuar me vdekje në SHBA, është zgjuar dhe ka nisur të flasë pasi mbijetoi një përpjekje të dështuar për ekzekutimin e saj javën e kaluar, bëjnë të ditur avokatët e saj, sipas BBC.
Pike vijon të marrë trajtim intensiv në spital, ku mbahet e prangosur, sipas një deklarate të publikuar të martën nga ekipi i saj ligjor.
Ajo ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer në vitin 1995. Javën e kaluar, në shtetin e Tenesit, autoritetet tentuan dy herë ta ekzekutonin përmes injeksionit vdekjeprurës, por të dyja përpjekjet dështuan.
Pas incidentit, Pike u dërgua në spital dhe qëndroi pa ndjenja për disa ditë, ndërsa mjekët punuan për të larguar nga trupi substancën kimike të përdorur gjatë procedurës.
Sipas avokatëve të saj dhe ekspertëve të cituar nga BBC, rikuperimi i Pike konsiderohet i paprecedentë. Ajo besohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pasi i është injektuar një substancë toksike gjatë një përpjekjeje për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës.
Avokatët e kanë përshkruar përmirësimin e saj si “të paprecedentë nga pikëpamja mjekësore”, por kanë theksuar se prognoza e saj mbetet ende e paqartë.
Sipas ekipit ligjor, Pike përballet me një periudhë të gjatë rikuperimi dhe do të vijojë të marrë trajtim mjekësor intensiv.







