Ballina Politika ‘Shije e hidhur dhe zhgënjim’, Nasufi kritikon hartën e re territoriale: Pse...

‘Shije e hidhur dhe zhgënjim’, Nasufi kritikon hartën e re territoriale: Pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera?

109
0

Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun Berat, Fadil Nasufi, ka shprehur rezerva për mënyrën se si është hartuar ndarja e re administrativo-territoriale, ndonëse bëri të qartë se do ta votojë draftin.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Nasufi u ndal veçanërisht te bashkimi i bashkive Dimal dhe Poliçan me Beratin, duke thënë se ka ndjekur kundërshtimet dhe argumentet e banorëve të këtyre zonave.

Ai tha se kishte pritur një organizim territorial të bazuar te bashkitë metropolitane ose ish-rrethet, ndërsa ngriti si pikë diskutimi faktin që ndryshimet nuk janë shtrirë edhe te bashki të tjera.

“Nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie, ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina etj.”, u shpreh Nasufi.

Deputeti socialist theksoi se, pavarësisht rezervave të tij dhe pakënaqësive të banorëve, do ta votojë propozimin për hartën e re territoriale.

“Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur e zhgënjim të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative”, deklaroi Nasufi.

Kritika e tij u përqendrua kështu te kriteret mbi të cilat është përcaktuar bashkimi i njësive vendore, duke vënë në pikëpyetje përse procesi nuk është shtrirë në mënyrë të ngjashme edhe te Roskoveci dhe bashki të tjera.