Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar pasoja financiare për familjet e të miturve të përfshirë në akte dhune gjatë protestave, si dhe masa administrative për studentët që dhunojnë policinë. Deklaratat i bëri gjatë një takimi me efektivët e Policisë së Shtetit, ku njoftoi edhe shpërblime për punonjësit e angazhuar në vijën e parë të përballjes me protestuesit.
Duke iu drejtuar prindërve të të miturve, kreu i qeverisë tha se do të përballen me fatura financiare nëse nuk mbajnë përgjegjësi për fëmijët e tyre.
“Do të paguani, në rast se nuk do të mbani përgjegjësi për ata fëmijë”, deklaroi Rama, duke shtuar se “fatura financiare do t’ju ndjekë deri në fund”.
Ai paralajmëroi gjithashtu se studentët që largohen nga mësimi dhe përfshihen në dhunë ndaj policisë do të përballen me pasoja në institucionet arsimore.
“Ju them studentëve që ikin nga shkolla për të dhunuar policinë, s’do të kthehen në shkollë normalisht pa pasoja administrative për ta. Nuk do të ketë arsim falas për ata studentë që dalin dhe dhunojnë policinë”, tha kryeministri.
Në të njëjtin takim, Rama premtoi një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në vijën e parë gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë. Ai e argumentoi shpërblimin me stresin dhe shpenzimet shtesë që, sipas tij, shoqërojnë shërbimin në këto kushte.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se nga 1 janari do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të policisë.







