Ballina Sport Real Madridi i jep fund bojkotit të Topit të Artë, Mbappe dhe...

Real Madridi i jep fund bojkotit të Topit të Artë, Mbappe dhe Vinicius pritet të jenë në Londër

51
0

Real Madridi ka vendosur t’i japë fund bojkotit të ceremonisë së Topit të Artë, me një delegacion të klubit që pritet të marrë pjesë në edicionin e këtij viti, raporton gazeta franceze “L’Equipe”.

Gjiganti spanjoll mungoi në ceremonitë e viteve 2024 dhe 2025, pas përplasjes me organizatorët e çmimit prestigjioz. Bojkoti i vitit 2024 erdhi pasi u raportua se Vinicius Junior nuk do të shpallej fitues, ndërsa trofeu përfundoi në duart e mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri. Vendimi i atëhershëm i Real Madridit u interpretua si shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës së përzgjedhjes së fituesit.

Këtë vit, situata pritet të jetë ndryshe, pasi disa prej yjeve të klubit madrilen mund të jenë të pranishëm në ceremoni. Mes tyre përmenden Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, të cilët janë në qendër të vëmendjes për çmimet individuale.

Mbappe shihet si një nga kandidatët kryesorë për fitimin e Topit të Artë, ndërsa një prej rivalëve më të fortë pritet të jetë talenti i Barcelonës, Lamine Yamal. Përballja mes yjeve të dy rivalëve të mëdhenj spanjollë pritet t’i japë edhe më shumë interes ceremonisë së këtij viti.

Ceremonia e Topit të Artë 2026 është planifikuar të mbahet më 26 tetor në “London Palladium”, në një edicion që përkon me 70-vjetorin e ndarjes së këtij çmimi prestigjioz.