Ballina Politika Humbja e Vuçiçit në zgjedhje, Majko: Simbol i çmontimit të shtetit administrativ

Humbja e Vuçiçit në zgjedhje, Majko: Simbol i çmontimit të shtetit administrativ

41
0

Ish-kryeministri Pandeli Majko ka ndarë një reagim lidhur me ndryshimet politike në Serbi, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Majko shprehet se ikja nga pushteti e Aleksandar Vuçiç shënon një kapitull të ri. Sipas Majkos, politikani që deri dje kontrollonte ngjarjet, tani ndodhet në anën e kundërt.

Reagimi i plotë:

IKJA E VUÇIÇ…

Aleksandër Vuçiç u largua nga pushteti! Ai nuk u rrëzua si një tiran. U tërhoq si një figurë e vjetër, që i kishte mbijetuar kohës së vet!

Aleksandër Vuçiç nuk përballoi fuqinë e botës së re mediatike të rrjeteve sociale, të shpejtë dhe të zhurmshme.

Historia do ta mbajë mend atë, jo për arritjet por për dështimet! Jo për atë që ndërtoi por për atë që ai shkatërroi!

Aleksandër Vuçiç kishte sharm! Ai ishte jo-konvencional dhe nuk kishte frikë të bënte eksperimente. Por, ai ishte i pakujdesshëm dhe vetëshkatërrues!

Të njëjtat cilësi që e kishin bërë të suksesshëm dhe dëshira e tij për ta bërë të aprovueshëm ishin ato të cilat e futën në krizë!

Aleksandër Vuçiç ishte i paaftë ti rezistonte joshjes së pushtetit!

Për të, morali ishte luks të cilin sistemi politik në Serbi nuk e përballonte!

Aleksandër Vuçiç ishte simbol i një sistemi ku pushteti politik dhe interesat ekonomike ushqyen njëri-tjetrin. Pasoja, ishte çmontimi i shtetit administrativ!

Ai e ktheu Serbinë në një shtet ku u përdorën ligjet, administrata dhe strukturat e sigurisë për të konsoliduar interesat e një grupi sundues të politikës, biznesit dhe krimit të organizuar!

Në periudhën e qeverisjes së Aleksandër Vuçiç kontrolli mbi institucionet në Serbi nuk ishte qëllim në vetvete.

Ai shërbente për të siguruar pasuri, për të mbrojtur aleatët dhe për të dobësuar çdo mekanizëm që mund të pengojë vazhdimësinë e pushtetit.

“Doktrina” Vuçiç ishte një dallim revolucionar nga mafia tradicionale për nga mënyra se si ushtrohet kontrolli. Ai e zhvendosi kuptimin e korrupsionit si një shkelje e veçuar e ligjit drejt një sistemi të organizuar ku shteti kthehet në “asistent”!

Në këtë logjikë, kompromisi me shkeljen e ligjit nuk ishte tradhti, por domosdoshmëri.

Aleksandër Vuçiç do të mbahet mend jo për ndonjë madhështi morale, por për paprekshmërinë.

Aleksandër Vuçiç humbi dje zgjedhjet! Nga dje, ai nuk i kontrollon më ngjarjet! Tashmë janë ato, që do ta kontrollojnë atë!