Ballina Politika “Do dyfishohen pensionet”, – Rama prezanton masat fiskale: Ulim normën e TVSH-së...

“Do dyfishohen pensionet”, – Rama prezanton masat fiskale: Ulim normën e TVSH-së për ushqimet bazë

56
0

Gjatë konferencës për mediat, Rama foli edhe për buxhetin e vitit 2027, rritjen e pensioneve dhe masat që qeveria synon të ndërmarrë për lehtësimin e familjeve përballë kostove të jetesës.

Kryeministri deklaroi se rritja ekonomike i ka krijuar mundësinë qeverisë për të dyfishuar rritjen e pensioneve në vitet pasardhëse. Ai tha se është i vetëdijshëm për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe naftës.

Rama njoftoi gjithashtu se buxheti i vitit 2027 do t’i përcillet Kuvendit dhe do të kalojë për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove. Sipas tij, edhe borxhi publik ka zbritur në një nivel historikisht të ulët.

“Lajmi i parë në radhën e lajmeve të mira që kam për familjet e zakonshme të këtij vendi është se, falë rritjes së ekonomisë, jemi gati për të hedhur një hap të shumëpritur: ulim normën e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 6% për 54 produkte, ku përfshihen mishi, peshku, bulmeti, vezët, mielli, vajrat, sheqeri, makaronat, frutat dhe ushqimet bazë për foshnjat.

Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare 150 milionë euro në vit për ushqimin, të cilat deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH-së prej 20%.

Për të gjitha mallrat jashtë shportës bazë, të gjithë ne do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit të jetë e garantuar si një shpenzim i arsyeshëm.

Nuk rrisim normën e tatimit mbi sipërmarrjen, e cila mbetet 15%. Ndryshe nga sa ju thonë ekranet e korruptuara dhe portalet e paguara, ne i tatojmë të mëdhenjtë me normën më të lartë në Ballkanin Perëndimor, prej më shumë se dhjetë vitesh.

Sot rrisim edhe tatimin mbi dividendin e tyre, i cili, duke shkuar nga 8% në 15%, i ngarkon biznesmenët e mëdhenj me një taksë më të ndershme mbi fitimin e tyre, në funksion të atyre që kanë më pak.

Ekonomia na e ka dhënë mundësinë, rritja e pensioneve të dyfishohet në çdo vit pasardhës. Rritja e këtij viti do të jetë e dyfishuar, e kam thënë për ata që e bënë madhështore protestën e Flamingos, jam i vetëdijshëm nga rritja e kostos së ushqimeve apo e naftës”, u shpreh Rama.