Këngëtarja e muzikës pop, Bebe Rexha, shënoi përvjetorin e nëntë të bashkëpunimit të saj me grupin “Florida Georgia Line”, duke shprehur mendimin se kënga “Meant to Be” e meritonte një çmim Grammy.
“‘Meant to Be’ duhet të kishte fituar një Grammy. Më vjen keq ose më saktë, nuk më vjen keq aspak,” shkroi Rexha në rrjetin social X.
Më pas, ajo pyeti fansat: “Kush e fitoi çmimin për kategorinë ‘country’ në vitin kur ‘Meant to Be’ ishte e nominuar? Kam harruar”.
Gjithashtu, në një postim në Instagram nga “mpuofficial”, bëhet e ditur se Rexha përdori rrjetet sociale për të shprehur bindjen e saj të fortë se bashkëpunimi i saj hit, “Meant to Be”, e meritonte një çmim Grammy në vitin 2019.
Në platformën X, ylli i muzikës pop e riafirmoi qëndrimin e saj pa asnjë hezitim, duke deklaruar se ky bashkëpunim, i cili kryesoi klasifikimet muzikore, u shpërfill gjatë ceremonisë.
Kënga “Meant to be”, një ndërthurje e zhanreve “country” dhe “pop” në bashkëpunim me “Florida Georgia Line”, theu rekorde që në momentin e publikimit dhe qëndroi për plot 50 javë radhazi në krye të klasifikimit “Billboard Hot Country Songs”.
Deklarata e Rexhës ka rindezur një debat të zjarrtë në internet lidhur me shpërfilljet në ceremonitë e çmimeve, si dhe mbi ndikimin e qëndrueshëm kulturor të hiteve të mëdha që kapërcejnë kufijtë e zhanreve muzikore.
Çmimi për “Performancën më të mirë nga një dyshe ose grup në zhanrin country” në edicionin e 61-të vjetor të çmimeve Grammy, në vitin 2019, iu dha dyshes “Dan + Shay” për këngën “Tequila”.
Në vitin 2020, “Meant to Be” u certifikua si këngë “diamant” nga Shoqata e Industrisë së Regjistrimit të Amerikës (RIAA), duke konfirmuar shitjen e 10 milionë njësive në Shtetet e Bashkuara.







