Policia britanike në Cheshire ka refuzuar një kërkesë nga Jane Coates për të hetuar vdekjen e vajzës së saj 23-vjeçare, Lucy Harrison, e cila u qëllua për vdekje nga babai i saj, Kris Harrison, në Teksas janarin e kaluar.
Shpjegimi zyrtar është se ata nuk kanë autoritetin ligjor për të ndërhyrë në vendimet e sistemit të drejtësisë amerikane, raporton BBC.
E reja nga Warrington u qëllua në gjoks më 10 janar 2025, në shtëpinë e babait të saj në Prosper, pranë Dallasit – vetëm gjysmë ore para se ajo të nisej për të kapur një fluturim për t’u kthyer në shtëpi.
Megjithëse një hetues mjeko-ligjor britanik arriti në përfundimin se vdekja përbënte një vrasje të paligjshme, një juri e madhe në qarkun Collin, Teksas, refuzoi të ngrinte akuza ndaj babait, pasi ai u tha hetuesve se pistoleta e tij “Glock” ishte shkrepur aksidentalisht ndërsa ai po ia tregonte vajzës. Autoritetet amerikane e mbyllin çështjen; policia britanike thotë se është e pafuqishme.
Nëna e të resë së vrarë i shkroi policisë së Cheshire, duke kërkuar që ata të mblidhnin prova dhe të kontaktonin autoritetet në Shtetet e Bashkuara.
Zëvendësshefi i policisë, Mike Evans, u përgjigj se ata ishin të kufizuar nga pengesat ligjore dhe çështjet e juridiksionit territorial.
Policia në Angli dhe Uells nuk ka bazën ligjore për të shqyrtuar vendimet e marra nga organet gjyqësore amerikane. Për më tepër, një prokuror në Teksas refuzoi madje edhe të fliste me nënën, kur ajo udhëtoi drejt SHBA-së për të kërkuar rihapjen e hetimit.
“Edhe pse mund t’i ndajmë shqetësimet e familjes dhe ta kuptojmë dëshirën e tyre për hetime të mëtejshme, ne nuk kemi autoritet ligjor për të ndërhyrë në vendimet e marra nga ato agjenci,” deklaroi Evans në një letër drejtuar nënës së viktimës.
Ai shtoi se kapaciteti hetimor i policisë britanike është i kufizuar, si në aspektin praktik ashtu edhe në atë ligjor, pasi i dyshuari, dëshmitarët kyç dhe provat materiale ndodhen jashtë vendit.
Sam Littler, partneri i të ndjerës, dëshmoi se Lucy ishte zënë me babanë e saj, i cili kishte një histori varësie nga alkooli dhe jetonte në Teksas prej vitesh, lidhur me presidentin Donald Trump, dhe këmbënguljen e babait për të mbajtur armë zjarri.
Gjatë debatit, Lucy e pyeti babanë se si do të reagonte nëse ajo do të binte viktimë e një sulmi seksual. Ai u përgjigj në mënyrë të pashpirt se kishte dy vajza të tjera që jetonin me të, ndaj kjo nuk do ta prekte shumë – një koment që e bëri Lucy të largohej me vrap drejt katit të sipërm, duke qarë.
Pak më vonë, babai e mori atë nga kuzhina dhe e çoi në një dhomë gjumi në katin përdhes. Rreth pesëmbëdhjetë sekonda më vonë, u dëgjua një e shtënë fatale.







