Nga Ermal Peçi
Shqipëria po kalon vërtet një moment të vështirë, ku kanë ngelur shumë pak liderë politikë dhe janë shtuar shumë kukullat politike, të cilat komandohen nga oligarkët. Tashmë oligarkët, të mbingopur nga pushteti ekonomik, duke qenë zgjatim nga sistemi Berisha tek sistemi Rama, tashmë u është hapur oreksi dhe kërkojnë edhe pushtet politik.
Secili nga këta oligarkë ka prodhuar ekzemplarët e vet politikë dhe secili, nëpërmjet fuqisë së tyre mediatike, u ofron shqiptarëve liderë politikë ose prodhojnë nga hiçi intelektualë, të cilët janë shpirti i protestës së studentëve, por që në fakt në atë shesh nuk i pjerdh e nuk i pyet askush.
Kjo është drama e politikës shqiptare, ku oligarkët nuk kënaqen më vetëm me ndikimin mbi pushtetin, por kërkojnë të prodhojnë edhe opozitën që nesër mund të vijë në pushtet. Sepse për ta nuk ka rëndësi kush qeveris, për sa kohë interesat e tyre mbeten të paprekura. Ditën e enjte, në Opinion, u pa një skenë vërtet e trishtueshme, ku drejtues të copëzave të opozitës u zunë me fjalë të rëndomta dhe rruge, gjë që tregon mjerimin e vet.
Në anën tjetër, sot deputetë të Partisë Demokratike nuk u lejuan të bashkoheshin në protestën e studentëve, duke thirrur: “Rama në burg, Berisha në burg!”. Ky është një mesazh që opozita tradicionale nuk mund ta injorojë. Studentët që refuzojnë Berishën nuk mund të konsiderohen automatikisht mbështetës të Ramës. Përkundrazi, ata po kërkojnë të mos identifikohen me një klasë politike që, në sytë e tyre, mban përgjegjësi për gjendjen e sotme të Shqipërisë.
Epoka e teknologjisë ka prodhuar edhe influencerët politikë, të cilët nuk bëjnë më deputetin, por të mbërthyer në valën e like-ve dhe komenteve përpiqen që t’i pëlqejnë popullit, por jo të marrin vendime.Në fakt, askush nuk bën një analizë të mirëfilltë politike për të kuptuar problemet reale që ka opozita dhe si mund të arrihet bashkimi.
Bashkimi i opozitës nuk është çështje fotografish, darkash politike apo emisionesh televizive. Bashkimi është një proces politik që kërkon qëndrime të qarta, përgjegjësi dhe mbi të gjitha parime që nuk ndryshojnë sipas interesave të ditës.
Por askush nuk ka kurajë të pranojë që bashkimi i opozitës i ka fillesat në tetorin e vitit 2021.
Aty ku ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli për dy parime të qarta: marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, distancimin nga non grata dhe mbështetjen e SPAK-ut. Në atë kohë, shumë prej aktorëve të cilët dalin sot në ekrane, tentuan t’i mohojnë këto parime, t’i zhvlerësojnë dhe t’u kthehen tezave sovraniste. Duke përdorur çdo element të botës mediatike, oligarkike dhe të nëndheshme, si dhe duke përdorur diskutime populiste, kërkuan t’i zhdukin këto parime.
Ironia më e madhe është se disa prej atyre që dje i luftonin këto parime, sot dalin në ekranet televizive dhe japin leksione për bashkimin e opozitës. Por si mund të kërkosh bashkim, kur nuk pranon të përcaktosh mbi çfarë vlerash dhe parimesh do të bashkohesh? Si mund të flasësh për një opozitë proamerikane, ndërkohë që relativizon shpalljen non grata të liderit të kryetatit të PD-së? Si mund të pretendosh se lufton korrupsionin, ndërkohë që sulmon SPAK-un kur ai heton njerëzit e tu? Si mund të kërkosh ndryshim, kur vazhdon të mbrosh të njëjtat figura që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada?
Këto janë pyetje që nuk mund të marrin përgjigje përmes propagandës, sulmeve personale apo spektakleve televizive. Ato kërkojnë një ndarje të qartë mes interesit publik dhe interesave personale të politikanëve. Por pavarësisht marifeteve, kurtheve apo egos personale, koha po tregon se vetëm duke u rikthyer tek parimet që artikulonte Basha, opozita mund të bashkohet dhe të krijojë një shpresë për të rrëzuar Edi Ramën. Ndryshe, nuk ka asnjë mundësi.
Koha ka treguar se problemi i opozitës shqiptare nuk është mungesa e njerëzve që duan të bëhen kryetarë, por mungesa e kurajës për të pranuar se askush nuk mund të jetë mbi parimet. Opozita nuk mund ta luftojë Edi Ramën duke kopjuar modelin e tij të pushtetit. Nuk mund të luftojë oligarkët duke u bërë peng i tyre. Nuk mund të premtojë drejtësi duke sulmuar SPAK-un dhe mbi të gjitha, nuk mund të premtojë të ardhmen duke mbetur peng i së shkuarës.
Bashkimi i opozitës nuk fillon nga emrat që ulen në një tavolinë, por nga parimet që ata janë të gatshëm të mbrojnë, edhe kur këto parime cenojnë interesat e tyre personale. Sepse bashkimi pa parime është thjesht një pazar për pushtet, ndërsa bashkimi mbi parime është e vetmja mundësi për të ndërtuar një alternativë politike të besueshme.
Nëse opozita nuk ka kurajën të bashkohet mbi parime, por vazhdon të mbetet peng i egove personale, pazareve oligarkike dhe spektakleve televizive, atëherë Edi Rama nuk ka nevojë as ta luftojë. Sepse një opozitë që nuk arrin të çlirohet nga pengjet e së shkuarës, nuk mund t’u premtojë shqiptarëve çlirimin nga pushteti i së sotmes!







