Personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, ka komentuar praninë e deputetëve dhe eksponentëve të Partisë Demokratike në protestën e studentëve të zhvilluar të shtunën në Tiranë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Vrenozi kritikon drejtuesit e PD-së që iu bashkuan protestës pa simbolet e partisë, ndërkohë që nga turma dëgjoheshin edhe thirrjet “Berisha në burg”.
“Je parti opozitare me 500 mijë vota, çfarë bën që rend pas këtyre? Studentët kanë punët e tyre. Ti si Partia Demokratike, si partia më e madhe e opozitës, shko me flamurin e PD-së”, thotë ai.
Vrenozi ndalet disa herë te fakti që eksponentët Demokratë u shfaqën në protestë pa flamujt e PD-së. “Keni frikë të dilni me flamurin e PD-së? Po ç’është kjo? Është turp”, shprehet ai, duke e lidhur këtë edhe me vështirësinë e opozitës për të mobilizuar vetë mbështetësit e saj: “Opozita më e madhe, partia më e madhe në vend ka turp të dalë me flamurin e saj”.
Sipas Vrenozit, PD po përpiqet të shfaqet në një protestë të organizuar nga të tjerë, në vend që të jetë vetë në gjendje të mobilizojë njerëzit.
“Organizo vetë protesta. S’ke punë fare as me studentët… Bëj vetë, edhe mos e hiq flamurin blu”, shprehet ai.
Vrenozi ironizon gjithashtu përplasjen e demokratëve me mbështetësit e Arlind Qorit, duke pyetur përse PD duhet të përfshihet në një protestë ku një prej sloganeve kryesore kërkon burgosjen edhe të Sali Berishës.
“Ata thonë ‘Berisha në burg’. Çfarë doni me ata juve?”, shprehet ai, duke kërkuar që PD të ruajë identitetin e vet politik dhe të mos ndjekë protestat e të tjerëve.
Në një moment tjetër, ai tallet edhe me mënyrën se si eksponentët demokratë ecin në grup mes protestuesve, duke i krahasuar me personazhe të filmit “Prita” dhe duke pyetur vazhdimisht se ku kanë përfunduar protestat e dikurshme të PD-së me flamuj blu dhe turma të mëdha.
Nëse PD po investon ende për strategjistë dhe specialistë komunikimi, videoja e Vrenozit ngre një pyetje ironike se mos vallë po shpenzon kot? Në rreth dhjetë minuta monolog, Vrenozi arrin të formulojë një dilemë dilemën reale të Demokratëve shqiptaë: nëse janë partia më e madhe e opozitës, përse shkojnë pa flamurin e tyre në një protestë që kërkon kryetarin e tyre në burg?







