Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike, Aleksandër Biberaj, ka komentuar protestën studentore, duke e cilësuar atë si një revolucion dhe bërë thirrje për mbështetjen e të rinjve nga pedagogët, intelektualët dhe qytetarët.
I ftuar në studion e News24, Biberaj u shpreh se studentët kanë nevojë për mbështetje në qëndresën e tyre, ndërsa paralajmëroi se ndërhyrja e partive politike për të përfituar nga lëvizja mund të sjellë përçarjen e saj. Ai kujtoi edhe protestën e vitit 2018, e cila sipas tij nuk arriti objektivat për shkak të përçarjes.
“Ky është revolucion dhe është kënaqësi të marrësh pjesë në këtë revolucion. Është detyrim që ke ndaj vendit tënd, ndaj shoqërisë tënde dhe ne kemi detyrim disa fish, sepse ata janë studentët tanë, janë fëmijët tanë. Patjetër duhet një mbështetje dhe unë përfitoj nga rasti për t’u bërë thirrje të gjithë kolegëve profesorë, intelektualëve, familjarëve dhe studentëve për t’i mbështetur, në mënyrë që të bëhet e mundur realizimi i objektivave të tyre.







