Partia Demokratike kërkon thirrjen e kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Median, për të dhënë shpjegime lidhur me gjobat dhe masat e marra ndaj mediave.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaron se AMA po përdoret si instrument presioni politik ndaj mediave dhe gazetarëve që mbajnë qëndrime kritike ndaj qeverisë. Ajo bën të ditur se, së bashku me kolegët e opozitës dhe të Partisë Demokratike, ka firmosur kërkesën për thirrjen e institucionit në komision, me qëllim raportimin mbi vendimmarrjen dhe veprimtarinë e tij.
Tabaku e cilësoi sjelljen e AMA-s si të papajtueshme me ligjin, Kushtetutën dhe parimet që duhet të udhëheqin një institucion të pavarur. Sipas saj, autoriteti që ka për detyrë të garantojë zbatimin e ligjit dhe të respektojë lirinë e shprehjes nuk duhet të kthehet në një mekanizëm ndëshkimi ndaj mediave.
Reagimi i Jorida Tabakut:
Kryeministrit po i rrëshqet toka nën këmbë. Sistemi që ka ngritur është aq i tronditur, sa po përdor çdo mjet represiv, çdo formë ndëshkimi dhe intimidimi ndaj kujtdo që i del kundër.
E nisi vetë, duke kërcënuar me burg këdo që proteston. Vijoi me dhunën policore ndaj protestuesve dhe me akte normative ndëshkuese. Tani po përdor AMA-n për të kërcënuar dhe shantazhuar këdo që nuk flet sipas udhëzimeve dhe urdhrave të tij.
E konsideroj këtë sjellje të AMA-s në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe parimet që duhet të udhëheqin një institucion të pavarur. Prandaj, së bashku me kolegët e opozitës dhe të Partisë Demokratike, kam firmosur kërkesën për ta thirrur AMA-n të raportojë përpara Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median.
Shqetësimet për pavarësinë e AMA-s kërkojnë përgjigje konkrete. Një institucion që duhet të garantojë zbatimin e ligjit dhe të respektojë lirinë e shprehjes nuk mund të kthehet në kamzhik politik ndaj mediave dhe zërave kritikë.
Askush nuk mund ta heshtë gazetarinë dhe as ta kthejë Shqipërinë në kohën e errët të policisë së mendimit.
Është koha për llogaridhënie. AMA duhet të përgjigjet: kush e drejton vendimmarrjen e saj, mbi çfarë baze ligjore vepron dhe kujt i shërben publikut apo pushtetit?







