Ballina Rajoni Arrestimet në Serbi, mediat: Biznesmeni serb me ndikim në veri të Kosovës,...

Arrestimet në Serbi, mediat: Biznesmeni serb me ndikim në veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviçi, largohet drejt Turqisë

114
0

Zvonko Veselinoviç, i cilësuar si një prej figurave më me ndikim në veri të Kosovës, raportohet se është larguar këtë mëngjes drejt Turqisë, në një kohë kur në Serbi po zhvillohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm dhe Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit.

Lajmi është bërë i ditur nga media hulumtuese serbe KRIK, e cila citon burimet e veta. Sipas këtyre burimeve, Veselinoviçi ka udhëtuar në orët e para të mëngjesit me një fluturim nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportë serbe.

Largimi i tij raportohet në një periudhë kur autoritetet serbe kanë ndërmarrë arrestime ndaj disa biznesmenëve dhe zyrtarëve, të cilët, sipas raportimeve të KRIK-ut, kanë pasur lidhje të ngushta me strukturat e pushtetit gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiçit.

KRIK e përshkruan Veselinoviçin si një nga figurat me ndikim në veri të Kosovës, me lidhje në nivelet më të larta të politikës serbe, përfshirë Andrej Vuçiçin, vëllain e Aleksandar Vuçiçit.

KRIK rikthen në vëmendje lidhjet e Veselinoviçit me Andrej Vuçiçin. Mediumi hulumtues ka publikuar më herët fotografi ku të dy shfaqen në një takim në një restorant në Kopaonik, në vitin 2015.

Po ashtu, në komunikimet e platformës së enkriptuar “Sky”, të publikuara nga KRIK, emri i Veselinoviçit përmendet në përpjekjet për të ndikuar në emërimet brenda policisë serbe, si dhe në ndarjen e kontratave shtetërore me vlerë miliona euro.

Sipas analizës së këtyre komunikimeve nga KRIK, Veselinoviçi kishte marrëdhënie me figura të fuqishme të SNS-së dhe ishte përfshirë në përpjekjet për të ndikuar në emërimin e drejtuesve të policisë.