Ballina Kulturë Muntaz Dhrami, njeriu që gdhendi me daltë historinë e Shqipërisë

Muntaz Dhrami, njeriu që gdhendi me daltë historinë e Shqipërisë

80
0

Në 90-vjetorin e lindjes, një homazh për skulptorin që i dha fytyrë kujtesës kombëtare

Nga Albert Z. ZHOLI

Ka njerëz që historinë e tregojnë me fjalë, ka të tjerë që e shkruajnë me penë, por ka edhe artistë të rrallë që e gdhendin atë në gur e bronz. Muntaz Dhrami është një prej tyre. Një jetë e tërë në shërbim të artit, një jetë me daltën në dorë, për të lënë në sheshet dhe kujtesën e Shqipërisë vepra që flasin edhe atëherë kur autori hesht. Në 90-vjetorin e lindjes së tij, më vjen natyrshëm të shkruaj për këtë mjeshtër të skulpturës shqiptare. Me Muntaz Dhramin kam zhvilluar rreth njëzet intervista. Kam pasur rastin ta takoj, ta dëgjoj, ta pyes e ta njoh përtej veprave monumentale. Në këto biseda kam zbuluar një njeri që nuk është vetëm krenar për krijimtarinë e tij, por edhe thellësisht i lidhur me vendlindjen, me historinë dhe me njerëzit që kanë lënë gjurmë në këtë vend. Rruga e tij nisi në Gjirokastrën e gurit, qytetin që duket sikur vetë natyra e ka ndërtuar si një monument. U largua i vogël nga vendlindja, por Gjirokastrën e mbajti gjithmonë brenda vetes. Studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, formimi artistik dhe vitet e punës e çuan drejt një karriere të jashtëzakonshme. Ai u bë një nga emrat më përfaqësues të skulpturës monumentale shqiptare, duke marrë titullin “Skulptor i Popullit” dhe më vonë titullin “Nderi i Kombit”. Por madhështia e tij nuk qëndron vetëm te titujt. Ajo qëndron te veprat. Mjafton të përmendim Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, të realizuar në bashkëpunim me Kristaq Ramën dhe Shaban Hadërin; monumentin madhështor “Nëna Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë; monumentin e Kristoforidhit në Elbasan; monumentin e Drashovicës; monumentin e Pezës dhe Obeliskun e Arsimit në Gjirokastër. Secila prej tyre përfaqëson një kapitull të historisë sonë, një ngjarje, një sakrificë, një kujtesë që nuk duhet humbur. Në krijimtarinë e tij individuale spikasin edhe monumenti i Ali Pashë Tepelenës, monumenti i Lasgush Poradecit, ai i Mitrush Kutelit, busti i Jani Vretos, portreti i Nënë Terezës dhe vepra të tjera që dëshmojnë se Dhrami nuk ishte vetëm mjeshtër i monumenteve të mëdha, por edhe i portretit njerëzor. Në intervistat tona ai ka folur me pasion për Ali Pashë Tepelenën, për Drashovicën, për historinë e Labërisë, për Gjirokastrën dhe për figurat që kanë lënë gjurmë në identitetin shqiptar. Në një nga bisedat tona më ka rrëfyer edhe një peng të madh: dëshirën për të parë një monument madhështor të Ismail Qemalit në Tiranë, përballë monumentit të Skënderbeut. Edhe në këtë dëshirë kuptohet lidhja e tij e fortë me historinë dhe me figurat themeluese të shtetit shqiptar. Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë gjithë këtyre takimeve është se pas skulptorit të madh qëndron një njeri me kujtesë të pasur, me ndjeshmëri dhe me respekt për kolegët e tij. Ai flet për veprat, por edhe për njerëzit me të cilët i realizoi ato. Për të, një monument nuk është thjesht një masë bronzi apo guri. Është një bashkim mendimi, përkushtimi, pune dhe historie. Muntaz Dhrami i përket asaj plejade artistësh që nuk e shohin artin si një profesion të zakonshëm, por si një mision jetësor. Ai ka lënë gjurmë në artin shqiptar dhe ka ndihmuar në formimin e brezave të rinj përmes punës së tij si pedagog dhe drejtues në Institutin e Lartë të Arteve. Sot, kur mbush 90 vjeç, ai mund të shohë pas një jetë të tërë krijimtarie. Veprat e tij janë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në sheshe, në hapësira publike, në galeri dhe në kujtesën e njerëzve. Ato janë bërë pjesë e peizazhit tonë kombëtar. Unë, si gazetar që kam pasur privilegjin ta intervistoj rreth njëzet herë, ndiej se çdo bisedë me të ka qenë një udhëtim në historinë e artit dhe të Shqipërisë. Kam dashur gjithmonë të zbuloj njeriun pas monumentit, mendimin pas skulpturës, kujtimin pas gurit. Por Muntaz Dhrami nuk ka gdhendur vetëm figura. Ai ka gdhendur kujtesë. Dhe kur një artist arrin që përmes veprës së tij të bëhet pjesë e kujtesës së një kombi, ai e ka fituar pavdekësinë e artit.

Gëzuar 90-vjetorin, Muntaz Dhrami!

Një jetë me daltën në dorë, një histori e tërë në gur e bronz dhe një emër që do të mbetet pjesë e trashëgimisë artistike shqiptare.