Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të Taulant Ballës ndaj eurodeputetit Michael Gahler, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe skandaloze.
Në reagimin e tij, Bardhi dënon gjuhën e përdorur nga Balla ndaj Gahler, i cili drejton Delegacionin e Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri dhe është koordinator i grupit parlamentar të EPP-së.
Sipas Bardhit, apeli i eurodeputetit duhet të merret seriozisht, pasi nuk përfaqëson thjesht një qëndrim personal, por reflekton edhe qëndrimin e shprehur në Rezolutën e Parlamentit Europian të vitit 2025.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së thekson se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë detyrime themelore për demokracinë dhe kushte të domosdoshme për avancimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.
Në përfundim, Bardhi nënvizon se askush nuk mund të intimidojë apo delegjitimojë përfaqësuesit europianë që kërkojnë respektimin e standardeve demokratike dhe vlerave të Bashkimit Europian.







