Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Dublin, ka deklaruar se regjimi iranian ka ndërhyrë në nxitjen e protestave në Shqipëri përmes rrjeteve sociale.
Sipas Ramës, në organizimin dhe zhvillimin e protestave janë përfshirë edhe aktorë të tjerë, përfshirë opozitën politike dhe përfaqësues të skajeve të së majtës dhe së djathtës ekstreme.
“Regjimi iranian i ka duart e veta në ndezjen e protestës përmes shumë ndërhyrjeve nëpërmjet medias sociale. Ka shumë duar të tjera që kanë hyrë dhe, pas fillimit të qershorit, protesta nuk ishte më ajo që ishte”, deklaroi Rama.
“Tani ka disa aktorë të tjerë: opozita politike, një kombinim skajesh nga e majta dhe e djathta ekstreme, së bashku me të drejtën e tyre legjitime. Më pas kishte dhunë, e cila është e papranueshme”, shtoi ai.
Megjithatë, Kryeministri u shfaq i qetë për situatën në vend, duke iu referuar raportit të Komisionit Europian.
“Kur bëhet fjalë për gjithçka tjetër, unë jam vërtet i qetë, sepse mund t’ju drejtoj drejt raportit të Komisionit. Në Shqipëri ka probleme me korrupsionin, por vendi po e lufton dhe, për herë të parë, kemi një sistem që po e lufton”, tha Rama.
“Jemi në një pozitë të mirë. Besoj se na duhet të rishpërndajmë më shumë, por duhet të kesh më shumë”, përfundoi ai.
Pra, sipas Kryeministrit, Irani ka ndikuar në ndezjen e protestave, opozita dhe ekstremet politike kanë hyrë më pas në lojë, ndërsa sistemi shqiptar po lufton korrupsionin.
Dhe për të gjitha këto, Rama është “vërtet i qetë”.







