Afrim Qendro është shkarkuar nga drejtimi i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), vetëm nëntë muaj pas emërimit. Ky është një tjetër largim nga detyra për një zyrtar që gjatë qeverisjes së Edi Ramës ka kaluar në disa poste drejtuese.
Qendro drejtoi Autoritetin Rrugor Shqiptar deri në janar 2019, kur u shkarkua nga Belinda Balluku pas skandalit të tenderave të Unazës së Re, ku kompania DH Albania kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të fituar kontrata publike.
Por largimi nga ARRSH nuk i dha fund angazhimit të tij në administratën socialiste. Në vitin 2020 u emërua nënkryetar i Bashkisë së Vlorës, ndërsa në nëntor 2021 qeveria Rama e emëroi prefekt të Tiranës.
Në shkurt 2026 u lirua nga posti i prefektit, për t’u emëruar vetëm pak ditë më vonë në krye të IKMT-së, ku zëvendësoi Dallëndyshe Bicin.
Tashmë Qendro largohet edhe nga IKMT, duke shtuar një tjetër shkarkim në historinë e lëvizjeve të tij brenda administratës së qeverisë Rama. Ende nuk janë bërë publike arsyet e këtij vendimi.







