Studentët do të rikthehen këtë të shtunë në protestë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke shënuar ditën e 168 të mobilizimit kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Tubimi është njoftuar të nisë në orën 14:00, ndërsa organizatorët synojnë të vijojnë presionin ndaj mazhorancës përmes protestave të vazhdueshme.
Prej disa javësh, lëvizja ka ndryshuar strategjinë e organizimit, duke përcaktuar dy protesta kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë. Vendimi u mor pas më shumë se 150 ditësh tubime, me synimin për të ruajtur pjesëmarrjen dhe për të zgjeruar mbështetjen qytetare.
Protestat, të cilat fillimisht u zhvilluan në mënyrë paqësore nën emërtimin “Revolucioni Flamingo”, morën një tjetër drejtim gjatë muajit tetor, pas përfshirjes më të gjerë të studentëve. Kërkesat që nisën me përmirësimin e kushteve universitare, cilësinë e arsimit dhe mundësitë për të rinjtë u shndërruan gradualisht në një lëvizje me kërkesa të drejtpërdrejta politike.
Përplasjet e 13 tetorit shënuan një moment të rëndësishëm të protestave, duke rikthyer në qendër kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. Studentët e kanë cilësuar dorëheqjen e tij si kusht të panegociueshëm, duke refuzuar deri më tani propozimet e qeverisë për dialog.
“Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Studentët kërkojnë revolucion” dhe “Rama në burg, Berisha në burg” janë disa nga thirrjet që kanë shoqëruar tubimet e organizuara në kryeqytet.
Krahas protestave në rrugë, një pjesë e studentëve kanë vijuar bojkotin e procesit mësimor. Lëvizja ka marrë mbështetjen e pedagogëve, prindërve dhe qytetarëve nga qytete të ndryshme, megjithëse në disa universitete aktiviteti akademik është rikthyer në normalitet.
Organizatorët kanë përsëritur thirrjet për pjesëmarrje masive, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për dialog me studentët. Megjithatë, ftesat e tij nuk kanë ndryshuar qëndrimin e protestuesve, të cilët këmbëngulin se largimi i kreut të qeverisë mbetet kërkesa kryesore e lëvizjes.







