Ballina Sport Zvicra rikthehet në Ligën A të Kombeve, barazon pa gola në Slloveni

Zvicra rikthehet në Ligën A të Kombeve, barazon pa gola në Slloveni

30
0

Kombëtarja e Zvicrës ka siguruar rikthimin në Ligën A të Ligës së Kombeve, pasi sonte barazoi 0:0 në udhëtim ndaj Sllovenisë, në ndeshjen e xhiros së pestë të këtij kompeticioni.

Skuadrës së përzgjedhësit Murat Yakin i mjaftoi një pikë në Maribor për ta siguruar matematikisht rikthimin në elitën e futbollit evropian.

Ardon Jashari dhe Adrian Bajrami ishin në bankën e rezervistëve te Zvicra.

Ndeshja në stadiumin “Ljudski vrt” u karakterizua nga një lojë e zbehtë, me pak raste shënimi. Asnjëra skuadër nuk arriti të krijonte epërsi të mjaftueshme për ta merituar fitoren.

Rastin më të mirë për të shënuar Zvicra e pati në minutën e 80-të. Dan Ndoye, pas asistimit të Zeki Amdounit, i cili ishte futur në lojë si zëvendësues, goditi pranë shtyllës së dytë, por topi kaloi fare pranë portës.

Përfaqësuesja e Zvicrës e nisi takimin me një qasje të kujdesshme, dukej e kënaqur edhe me barazimin, pasi një pikë i mjaftonte për ta siguruar ngjitjen në Ligën A.

Në pjesën e parë, vëmendjen e tërhoqi edhe një problem teknik i gjyqtarit belg Jasper Vergoote, të cilit nuk i funksiononte komunikimi me sistemin e radiolidhjes. Pas një ndërprerjeje disa minutëshe, ndeshja vazhdoi, fillimisht pa lidhje me asistentët e tij.

Në minutën e 30-të, Sllovenia shënoi, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Te Zvicra, Breel Embolo dhe Denis Zakaria u rikthyen në formacionin titullar. Megjithatë, Zakaria nuk arriti të linte gjurmë në mesfushë, ndërsa Embolo ishte i pafuqishëm në sulm. Ky i fundit u zëvendësua pas një ore lojë nga Zeki Amdouni, i cili gjithashtu nuk arriti të krijonte shumë raste.

Sulmi zviceran pati vështirësi gjatë gjithë ndeshjes përballë mbrojtjes së organizuar të Sllovenisë. Në formacionin titullar ishin vetëm tre futbollistë me profil të mirëfilltë ofensiv: Dan Ndoye, Breel Embolo dhe Fabian Rieder.

Michel Aebischer dhe Remo Freuler, i cili zhvilloi ndeshjen e tij të 99-të me fanellën e Zvicrës, nuk arritën t’i zëvendësonin në mënyrë të kënaqshme mungesat e Johan Manzambit dhe Granit Xhakës.

Pak para fundit, Samuel Ballet debutoi me Kombëtaren e Zvicrës, duke luajtur rreth pesë minuta.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Skocia e mposhti Maqedoninë e Veriut me rezultat 2:1. John McGinn shënoi dy gola për skocezët, ndërsa për mysafirët realizoi ish-sulmuesi i Thunit, Elmin Rastoder.