Dhjetëra persona kanë mbetur të lënduar, disa prej tyre rëndë, si pasojë e përplasjes së 2 trenave të pasagjerëve në Pragë, kryeqytetin e Republikës Çeke.
Aksidenti ka ndodhur të martën, rreth orës 07:00, pranë stacionit kryesor hekurudhor, në urën mbi rrugën Seifertova, në zonën Praga 3.
Sipas mediave të huaja, përplasja ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve hekurudhore në kryeqytetin çek.
Shërbimet e emergjencës kanë bërë të ditur se 2 trenat po lëviznin me shpejtësi të ulët në momentin e aksidentit.
Shumica e të lënduarve kanë pësuar lëndime të lehta, por disa janë në gjendje më të rëndë.
Zëdhënësi i shërbimit të ambulancës së Pragës, Karel Kirs, ka deklaruar se disa pacientë kanë pësuar lëndime serioze që rrezikojnë funksionet e tyre jetësore. Shkaqet e përplasjes nuk janë bërë të ditura ende.







