Ballina Politika “Ku shkuan 1.2 mld euro të Rindërtimit? Po përdorni strehimin social si...

“Ku shkuan 1.2 mld euro të Rindërtimit? Po përdorni strehimin social si mall elektoral”/ Rama në seancë, Tabaku: Vjen kur të duhen votat! Shqipëria është në këmbë kundër teje

30
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar në seancën plenare mënyrën se si është përfshirë në rendin e ditës projektligji për strehimin social, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të rregullores dhe mungesë konsultimi.

Tabaku deklaroi se opozitës nuk i është dhënë mundësia për të zhvilluar komisionet dhe për të shqyrtuar në kohë nismat ligjore. Sipas saj, projektligji për strehimin nuk ishte parashikuar as në kalendarin dhe as në planin e punës, por është përfshirë në seancën e sotme pa konsultime paraprake.

Duke u ndalur te përmbajtja e projektligjit, deputetja demokrate tha se ai parashikon kalimin e kompetencave për strehimin te Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si dhe përdorimin e banesave të strehimit social për procesin e Rindërtimit. Tabaku ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë shpenzuar fondet e programit të Rindërtimit, duke kujtuar se kanë kaluar shtatë vite dhe procesi ende nuk ka përfunduar në disa zona të prekura nga tërmeti.

“Ku shkuan 1.2 miliardë euro? Kanë kaluar shtatë vite dhe Rindërtimi nuk ka përfunduar. Kontratat janë në shkelje të ligjit. Sa herë ka tërmete dhe fatkeqësi, ndodh kjo. Përfshihen në buxhet për tendera”, deklaroi Tabaku.

Ajo përmendi zonat e 5 Majit dhe Kombinatit, ku sipas saj qytetarët vijojnë të presin banesat e tyre. Deputetja iu referua gjithashtu konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e cilësuar programin e Rindërtimit si një nga aferat më të mëdha korruptive.

Sipas Tabakut, projektligji i ri për strehimin social po përdoret për qëllime elektorale, ndërsa shpërndarja e banesave dhe fondeve po lidhet me interesat e mazhorancës për zgjedhjet.

“Duhen shpërndarë paratë sepse po vijnë zgjedhjet. Po përdoren si mall elektoral”, u shpreh ajo.

Në fund të fjalës së saj, Tabaku komentoi edhe praninë e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke e akuzuar se paraqitet në seancat parlamentare vetëm kur i nevojiten votat e deputetëve.

“Zgjedhjet e 9 majit janë zgjedhje të vdekura. Sot e gjithë Shqipëria është në këmbë kundër Ramës, sepse ka kapur çdo gjë prej fyti. Të rinjtë po i kërkojnë të japë dorëheqjen. Meqë e kemi këtu Ramën, sepse vjen në sallë sa herë ka nevojë për vota”, deklaroi Tabaku.