Manchester United është shumë pranë humbjes së një prej talenteve më premtuese të akademisë së tij.
Sulmuesi 16-vjeçar JJ Gabriel pritet të transferohet te Real Madridi, pasi palët kanë arritur marrëveshje dhe finalizimi i lëvizjes mund të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme.
Sipas Sky Sports, Real Madridi ka arritur marrëveshje me Manchester Unitedin për transferimin e talentit anglez, ndërsa marrëveshja mund të përmbyllet brenda dy deri në tri ditësh. Mediat spanjolle raportojnë se Gabriel ka vizituar edhe ambientet stërvitore të klubit madrilen së bashku me familjen e tij.
Largimi i tij nga “Old Trafford” u bë publik përmes një videoje emocionuese në rrjetet sociale, ku 16-vjeçari u përshëndet me klubin që e kishte pritur që në moshën 10-vjeçare.
“Teksa nis kapitullin tim të ri, Manchester United do të jetë gjithmonë pjesë e historisë sime. Faleminderit për gjithçka”, shkroi Gabriel.
Ai ishte një nga lojtarët më të vlerësuar të akademisë së Unitedit. Sezonin e kaluar fitoi çmimin Jimmy Murphy për futbollistin më të mirë të ri të klubit, ndërsa u bë lojtari më i ri që e fitonte këtë çmim. Gjithashtu, shënoi het-trik ndaj Sabahut në UEFA Youth League, kur ishte vetëm 15-vjeçar.
Talenti i tij ka marrë vlerësime edhe nga ish-futbollisti dhe analisti i Sky Sports, Paul Merson, i cili deklaroi: “Ky djalosh është lojtar i mirë. Ai mund të ishte një superyll. Manchester United do të jetë shumë i zhgënjyer”.
Sipas raportimeve të mediave angleze dhe spanjolle, Real Madridi pritet të paguajë rreth 360 mijë euro si kompensim për formimin e lojtarit, ndërsa Gabriel fillimisht do t’i bashkohet akademisë së klubit dhe më pas synon të kalojë te ekipi rezervë, Castilla.
Kështu, Manchester United rrezikon të humbasë një nga projektet më të mëdha të akademisë së tij, ndërsa Real Madridi fiton garën për një talent që kishte tërhequr interesimin edhe të Barcelonës, Bayern Munichut dhe Paris Saint-Germainit.







