Ballina Lifestyle Xhensila Myrtezaj dërgohet në gjyq për evazion fiskal mbi 6 milionë lekë,...

Xhensila Myrtezaj dërgohet në gjyq për evazion fiskal mbi 6 milionë lekë, Prokuroria: Fshehu të ardhurat nga koncertet dhe nuk justifikoi depozitat cash

108
0

Këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, e akuzuar për fshehje të të ardhurave në dy vite të ndryshme, duke shkaktuar një evazion fiskal prej mbi 6 milionë lekësh.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e identifikon të pandehurën me inicialet Xh.K. dhe bën të ditur se ka përfunduar hetimet e procedimit penal nr. 5824 të vitit 2024, duke e akuzuar për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, të kryer më shumë se një herë, sipas nenit 180/1 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve janë konstatuar transaksione me pasuri të paluajtshme, për të cilat burimet e financimit nuk rezultojnë të justifikuara, si dhe depozitime të konsiderueshme parash cash që nuk përputhen me të ardhurat e deklaruara. Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu tërheqje të mëdha në para fizike, për përdorimin e të cilave nuk kanë siguruar informacion.

Për të justifikuar depozitimet, e pandehura ka paraqitur një deklaratë të thjeshtë me shkrim, duke pretenduar se të ardhurat janë siguruar nga koncertet e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Megjithatë, sipas organit të akuzës, dokumentacioni i paraqitur justifikon vetëm një pjesë të shumave.

Nga ekspertimi kontabël ka rezultuar se për vitin 2023 detyrimi tatimor i shmangur është 2,417,311 lekë, ndërsa për vitin 2024 arrin në 3,658,210 lekë. Në total, Prokuroria përllogarit një evazion fiskal prej 6,075,521 lekësh.

Prokuroria argumenton se fshehja e të ardhurave është kryer në dy vite kalendarike të veçanta dhe se bëhet fjalë për dy episode të pavarura të së njëjtës vepër penale.

Për këtë arsye, dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Këngëtarja do të përballet me akuzën në gjykatë, ku do të shqyrtohen provat dhe pretendimet e palëve. Dërgimi i çështjes për gjykim nuk përbën vendim fajësie.