Ballina Sport Fernandes mbron bashkëlojtarët pas humbjes ndaj Liverpoolit

Fernandes mbron bashkëlojtarët pas humbjes ndaj Liverpoolit

31
0

Fernandes mbron bashkëlojtarët pas humbjes ndaj Liverpoolit. Bruno Fernandes ka shprehur krenarinë për bashkëlojtarët e tij te Manchester United, pavarësisht humbjes së thellë 4-0 ndaj Liverpoolit në kuadër të Premierligës.

Kapiteni i “Djajve të Kuq” vlerësoi karakterin dhe luftën e treguar nga skuadra, e cila u gjend në një situatë shumë të vështirë që në minutat e para të ndeshjes në “Anfield”.

Man United mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Leny Yoros, ndërsa në minutën e 13-të ishte në disavantazh prej dy golash, pas realizimeve të Dominik Szoboszlait dhe Florian Wirtzit.

Liverpooli shënoi edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë, duke e mbyllur takimin me fitore bindëse 4-0.

Megjithatë, Fernandes, duke folur për BBC Sport, theksoi se rezultati nuk e pasqyron plotësisht paraqitjen dhe përpjekjet e skuadrës së tij.

“Ishte një ndeshje e vështirë. Të vish te rivalët tanë dhe të humbësh është gjithmonë e keqe. Pas 15 minutash, gjithçka ndryshoi dhe loja u bë shumë e vështirë për ne”, deklaroi portugezi.

Ai shtoi se lojtarët vazhduan të luftonin dhe të kërkonin mundësi për të rrezikuar portën kundërshtare, edhe pse luanin me një futbollist më pak.

“Ne ishim shumë guximtarë. Në disa momente humbëm topin, por vazhduam të provonim të luanim dhe të bënim diçka në këtë ndeshje. Nuk kishim frikë”, u shpreh Fernandes.

Fernandes pati kritika edhe për vendimin e gjyqtarit për përjashtimin e Yoros, duke e cilësuar kartonin e kuq si të padrejtë. Ai shtoi se vendimi i gjyqtarit ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e ndeshjes, ndonëse pranoi se humbja nuk mund t’i atribuohet vetëm atij episodi.

Man United tani do të përqendrohet në ndeshjen e ardhshme në Ligën e Kampionëve, me synimin për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.