Ballina Politika Denoncimi i kandidates së PD Euroatlantike, Mirela Karabina: Zyra Arsimore dhe KQZ...

Denoncimi i kandidates së PD Euroatlantike, Mirela Karabina: Zyra Arsimore dhe KQZ patronazhistë “të licensuar” të pushtetit

296
0

Zëdhënësja e PD-Demokratët Euroatlantikë Mirela Karabina, ka denoncuar një rast shqetësues ku Zyra Vendore Arsimore në Elbasan ka kontaktuar një mësuese menjëherë pasi motra e saj ishte loguar në sistemin e KQZ për t’u regjistruar si votuese nga jashtë vendit.

Sipas saj, ky rast tregon përdorimin e administratës publike për qëllime elektorale dhe shantazh ndaj punonjësve shtetërorë.

Ajo e cilëson këtë praktikë si një formë patronazhimi dhe ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor.

Zyra Arsimore dhe KQZ patronazhistë “të licensuar” të pushtetit.
Tashmë nuk përbën lajm që administrata përdoret politikisht në shërbim të pushtetit dhe në kurriz të qytetarëve.
Por, kur administrata vihet në shërbim të zgjedhjeve, kjo pastaj është kriminale pasi imponon votën dhe orienton atë duke penguar ndryshimin e pushtetit.
Ditën e djeshme në Elbasan, u bëra dëshmitare e një ndodhie të rëndë.
Isha ulur në një tavolinë me dy mikesha mësuese, B.C, dhe L.S.
I dërguam linkun për regjistrim për zgjedhje motrës së L.S. e cila jeton jashtë vendit. Motra e saj e filloi aplikimin por mbeti në gjysmë dhe nuk po e vazhdonte dot. Ndëkohë që filluam të pyesim se si mund të vazhdonte aplikimi, mësueses L.S. i bie telefoni nga ZVA Elbasan (Zyra Vendore Arsimore), kështu u prezantua, duke iu drejtuar me emrin e motrës së saj që sapo ishte loguar në KQZ dhe e pyeti nëse është bërë aplikimi.
Mësuesja e tronditur dhe e trembur më zgjati celularin me shpejtësi dhe mendova që merrnin nga KQZ dhe po sqaroja se ku kishte mbetur aplikimi. Por kur nuk po më jepte përgjigje si duhej dhe ndërkohë që mësuesja më bëri shenjë që ta pyesja se nga e kishte gjetur numrin, e pyeta me kë po flisja dhe si guxonte të merrte një mësuese e ta pyeste për aplikim të motrës.
Më tha që fliste nga ZVA dhe të dhënat ia kishte dhënë drejtoresha e shkollës.Tronditja e mësueses ishte edhe më e madhe pasi me drejtoreshën nuk kishte folur për këtë gjë asnjëherë.
Por kjo tefonatë, siç mësova, nuk ishte rastësore pasi me komunikimin që pata me drejtorë shkollash në Tiranë, sigurisht në konfidencë, më thanë që po, kështu funksion.
Në KQZ janë persona të caktuar që sapo fillon të aplikojë 1,2,3 persona, sinjalizojnë zonën administrative, e zona telefonon individit që ka dhënë emrin për ta konfirmuar.
Tirana më e “sofistikuar”, telefononin nga njësia administrative ndërsa Zyra Arsimore Elbasan “kurajoze”, merr direkt mësuesit.
Megjithatë, dje isha vetë dëshmitare e këtij skandali, telefonata nga ZVA Elbasan erdhi menjeherë pasi u logua në KQZ, dhe “çudia” ishte se e dielë, ditë pushimi dhe ZVA ishte në punë?!
Sigurisht, mësuesit ndjehen të frikësuar dhe të shantazhuar kur institucionet eprore të tyre bëhen pjesë e procesit zgjedhor.
Pra, hapur fare strukturat shtetërore janë kthyer në patronazhistë të pushtetit duke u bërë pjesë e një krimi zgjedhor.
Shënim: Për etikë numrin e celularit nuk po e nxjerr në këtë postim, shkruan ajo.