Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet intensive për të evidentuar dhe ndëshkuar shkeljet që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës. Si rezultat, janë ndëshkuar administrativisht 5300 drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme, si parakalime të gabuara, qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe mosvendosje të kaskës mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve.
Përveç gjobave, janë tërhequr me mjet ngritës 10 automjete që kishin zënë në mënyrë të paligjshme hapësira publike. Kontrollet çuan edhe në arrestimin e katër drejtuesve të automjeteve që udhëtonin në gjendje të dehur, si dhe tre të tjerë që drejtonin mjetin pa leje drejtimi. Po ashtu, dy shtetas të shpallur në kërkim për shkelje rrugore u ndaluan, ndërsa një tjetër u arrestua për drejtim mjeti nën efektin e lëndëve narkotike. Në një rast tjetër, një shtetas u procedua penalisht pasi tentoi të korruptonte punonjësit e policisë gjatë kontrollit, pasi u kap duke përdorur celularin në timon.
Policia njofton se do të vijojë kontrollet në mënyrë të pandërprerë për të parandaluar aksidentet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve në rrugë.