Shkencëtarët kanë zbuluar një mekanizëm të dopaminës që shpjegon se si truri mëson të pëlqejë shije që fillimisht mund të mos na duken të këndshme.
Pse shumë njerëz nuk e pëlqejnë kafenë herën e parë që e provojnë, por më pas nuk bëjnë dot pa të? Përgjigjja mund të gjendet te një mekanizëm i trurit, i identifikuar nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko.
Studimi, i publikuar më 4 nëntor në revistën Nature, zbulon një rrugë pak të studiuar të dopaminës, e cila lidh tretjen me krijimin e preferencave ushqimore.
Dopamina ndihmon trurin të mësojë se cilat përvoja janë shpërblyese. Ndërsa sinjalet e njohura aktivizohen nga stimuj të jashtëm, si pamja e një ushqimi të preferuar, mekanizmi i ri reagon ndaj proceseve brenda trupit. Kur zorra zbulon lëndë ushqyese si sheqeri dhe yndyrnat, ajo dërgon sinjale që nxisin çlirimin e dopaminës në tru për disa minuta.
Kafeja është një shembull i këtij procesi. Me kalimin e kohës, truri mëson të lidhë shijen e hidhur të saj me efektin stimulues të kafeinës, duke bërë që ajo të na pëlqejë gjithnjë e më shumë.
Për të kuptuar mekanizmin, studiuesit kryen eksperimente te minjtë. Kur bllokuan rrugën nervore të identifikuar, kafshët vazhduan të ushqeheshin normalisht, por nuk arrinin të lidhnin shijet e reja me përfitimet kalorike. Në një eksperiment tjetër, aktivizimi artificial i dopaminës bëri që minjtë të zhvillonin preferencë edhe për një shije pa vlera ushqyese.
Studimet te njerëzit zbuluan gjithashtu se ky reagim ishte më i fortë në anën e majtë të amigdalës, një zonë e trurit që lidhet me përpunimin e emocioneve dhe të mësuarit.
Zbulimi mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës se si krijohen dëshirat ushqimore dhe nëse ato mund të ndryshohen. Studiuesit po shqyrtojnë edhe lidhjen e mundshme me medikamentet GLP-1, megjithëse kjo nuk është testuar ende.
Në të ardhmen, ky mekanizëm mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve që ndikojnë jo vetëm te uria, por edhe te preferencat tona ushqimore.







