Ballina Politika Krimi i organizuar vendosi, kriminelët në Durrës hambar votash

Krimi i organizuar vendosi, kriminelët në Durrës hambar votash

193
0

Edhe procesi i votimit në Durrës, nxori pah përfshirjen direkte të grupeve kriminale në orientimin e votës. Një investigim i publikuar nga BIRN më 11 maj dokumenton me detaje praninë dhe veprimtarinë e strukturave informale dhe të paautorizuara pranë Qendrave të Votimit, veçanërisht në zonat periferike të qytetit. Në Shkollën “Neim Babameto” në Spitallë dhe në Shkollën “Dom Nikoll Kaçorri” në Ish-Kënetë, grupe individësh, me dukje dhe sjellje të koordinuara, udhëhiqnin dhe monitoronin zgjedhësit, duke krijuar një atmosferë presioni dhe orientimi të drejtpërdrejtë të votës. Automjete luksoze me xhama të zinj dhe persona të njohur për lidhjet me krimin e organizuar ndodheshin pranë QV-ve, duke kontrolluar qasjen dhe lëvizjen e qytetarëve.

Në Shkollën “Isuf Ferra” në Nishtulla, individë të njohur si “taksistë të votave” sillnin dhe dërgonin zgjedhës, ndërsa e orientonin menjëherë edhe procesin e votimit. Këta persona, të pajisur me çanta krahu dhe të vendosur në çdo hyrje e dalje të godinës, operonin në mënyrë të organizuar, sipas të dhënave të BIRN, si pjesë e strukturave kriminale lokale. Për më tepër, në disa QV si ajo me numër 1424/1, është vërejtur se votuesit palosnin fletën e votimit në mënyrë që t’i tregonin komisionerëve për kë kishin votuar – një praktikë e denoncuar shpesh si metodë për të provuar votën e komanduar. Pavarësisht pranisë së vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, krerë të këtyre grupeve vizituan personalisht qendrat e votimit në 11 maj, duke treguar hapur se menaxhonin “de facto” procesin zgjedhor në zona të caktuara. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, konfirmoi se kishte vizituar Durrësin pikërisht për shkak të informacioneve mbi përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje.